SPAK fillon hetimin për përgjimet e bujshme të Ndranghetas

schedule12:57 - 4 Shkurt, 2021

schedule 12:57 - 4 Shkurt, 2021

SPAK ka filluar hetimin në lidhje me përgjimet e anti-mafias italiane për Ndranghetan ku përmenden disa kontaktet me politikanë të rendësishëm në Shqipëri siç është presidenti Meta, kryebashkikua Veliaj, një ministër, një zv.ministër, kreu i Policisë së Tiranës, etj.

SPAK njofton se procedimi penal është regjistruar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Lexo edhe: I çuam djathë dhe mish derri: Përgjimet e Ndraghetas, “peshkohen” shefi i policisë së Tiranës dhe një zv.ministër

Sipas SPAK, regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë mbi bazën e disa artikujve të publikuara në media të ndryshme, në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros në Republikën e Italisë, të cilat hedhin dyshime në lidhje me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në Republikën e Shqipërisë.

Lexo edhe: Dosja e bujshme, zbulohet “Princi” i “Ndrangheta” me biznes në Bllok, dalin emrat e zyrtarëve të lartë

Mësohet se gjatë ditës së sotme në selinë e Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë, u zhvillua një takim koordinativ në lidhje me çështjen në fjalë.

Takimi u realizua nën drejtimin e zotit Federico Cafiero de Raho, Drejtues i Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, Itali dhe zotit Arben Kraja, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme, Shqipëri, me pjesmarrjen dhe të prokurorëve italianë dhe shqiptarë që hetojnë këto dy procedime penale në shtetet respektive.

Lexo edhe: Përgjimet e Ndranghetas: Fitojnë miqtë tanë të PS, tiranasit s’janë ciganë si jugu dhe veriu. Kreu i veterinerëve shqiptarë na jep toka pafund

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar garanton publikun se është e vendosur për të hetuar deri në fund çdo element dhe fakt që përbën indicje për veprimtari kriminale të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që lidhet me objektin e hetimeve të kryera deri tani nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros”, bën me dije SPAK.

Gjatë përgjimeve ndaj anëtarëve të Ndranghetas, prokuroria e Katanzaros zbuloi se ata flisnin për biznes edhe në Shqipëri, të cilin do ta kryenin përmes korruptimit me shuma të mëdha të politikanëve të rendësishëm dhe drejtuesve të tjerë të rangut të dytë në Shqipëri.

Në përgjime ata shprehen se mund të futen në tregun e ndërtimit të grataçelave në Tiranë duke dhënë 20% ryshfet tek zyrtarët lokalë, ndërsa flasin hapur për korruptimin e shefit të Policisë së Tiranës me qëllim që t’i linte rehat për të punuar.

Gjatë operacionit të kryer nga anti-mafia italiane janë arrestuar 36 persona, si anëtarë të Ndranghetas, mes tyre edhe disa shqiptarë, të cilët kishin regjistruar në emrat e tyre bizneset që në fakt ishin të Ndranghetas. /abcnews.al