15 të infektuar në Elbasan, “kasaphanë” në restorantin “covid-19”, priste klientë edhe në kohë izolimi

schedule10:15 - 9 Prill, 2020

schedule 10:15 - 9 Prill, 2020

Rritet numri i të prekurve me koronavirus në qytetin e Elbasanit.

Analizat e bëra në persona të dyshuar kanë konfirmuar edhe tre raste të tjera pozitive me koronavirus në këtë qytet duke bërë që numri i të infektuarve të shkojë në 15 raste.

Siç raporton Aldo Kozarja për ABC News 3 të infektuarit janë zinxhiri i kontakteve të restorantit në këtë qytet ku pronari rezultoi me koronavirus së bashku me bashkëshorten.

Ata janë një çift bashkëshortësh rreth 35 vjeç si dhe nëna e 35 vjeçarit.

Këta persona janë infektuar nga koronavirusi po në këtë restorant i cili ka vijuar të qëndrojë i hapur deri të premten e shkuar duke shkelur dhe mos zbatuar asnjë urdhër apo vendim të qeverisë.

Gjatë gjithë ditës së djeshme deri në orët e vona, në qytetin e Elbasanit, specialistët e shëndetit publik kanë marrë mostra të rasteve të dyshuara me covid-19.

Informacionet e djeshme njoftuan se bëhej fjalë për 2 studentë të gazetarisë dhe një postier.

Pedagogë të Universitetit Aleksandër Xhuvani të cilët zhvillojnë mësimet online, janë njoftuar ditën e djeshme se 2 studentë do të mungonin pasi kishin temperaturë të lartë.

Por burime për ABC News kanë konfirmuar minutat e fundit se nuk bëhet fjalë për studentë të gazetarisë por për një çift bashkëshortësh së bashku me një të moshuar të cilët janë të afërm të çiftit pronar të restorantit, pra zinxhir i kontakteve të tyre.

Gazetari Aldo Kozarja raportoi për ABC News se duhet të jenë të paktën 80 deri në 100 persona që kanë frekuentuar këtë restorant gjatë kohës që gjithë Shqipëria ndodhet në izolim.

Ata janë kryesisht persona banorë të zonës ku ndodhet gjykata e Elbasanit.

Pronari i  këtij restoranti 62 vjeç u konfirmua 2 javë më parë me covid-19, ndërkohë që restoranti ka vijuar të qëndrojë i hapur.

Nuk ka ende asnjë informacion zyrtar se çfarë është duke bërë policia në lidhje me këtë rast./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!