Ndërron jetë një paciente te spitali Infektiv. Burime për abcnews.al bëjnë me dije se pacientja rezultonte pozitiv me Covid-19, dhe kishte sëmundje bashkëshoqëruese.
Pacientja ishte transferuar në spitalin Infektiv nga Shkodra, një ndër zonat më të prekura pas Tiranës.
Ndërkohë, për lajmin ka reaguar edhe ministria e Shëndetësisë, ku thekson se pacientja nuk është në listën e viktimave të koronavirusit. Sipas ministrisë shkaku i vdekjes së pacientes sëmundja e rëndë e pankreasit.
Ky ështe rasti i trete ku ministria e Shëndetësisë nuk përfshin në listën e viktimave pacientët që kanë qenë të infektuar nga Covid-19. Rasti i parë ka qenë ai i pacientit që ndërroi jetë nga ataku kardiak, ndërsa ishte edhe i infektuar nga koronavirusi. Rasti i dytë ishte diten e djeshme ku në spitalin e Shkodrës ndërroi jetë një pacient, dhe ministria tha se vdekja ka ardhur si pasojë e hemoragjisë cerebrale, ndërsa viktima ka rezultuar pozitiv edhe me Covid-19.
Sipas sqarimeve të dhëna nga ministria të tre pacientët kanë humbur jetën për shkaqe të tjera, por kanë rezultuar pozitiv edhe me Covid-19.
Reagimi i plotë:
Lidhur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e një paciente me COVID19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se:
Gjatë ditës së ndërruar jetë në spitalin infektiv një 62-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë kronike të pankreasit, me vdekshmëri shumë të lartë: pankreatiti nekrotizant. 62-vjeçarja që vuante edhe nga kanceri dhe astma bronkiale, është sjellë ditën e djeshme në gjendje të rëndë nga spitali i Shkodrës, ku rezultoi bartëse e COVID19, por pa shenja klinike të sëmundjes. Referuar shërbimit infektiv, 62-vjeçarja nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID19, pasi ishte asimptomatike për këtë sëmundje, por si pasojë e sëmundjes së rëndë të pankreasit.
Ministria e Shëndetësisë informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare.