Plagoset me armë zjarri djali i xhaxhait të anëtarit të bandës së “Babagjyshëve” në Fushë Krujë

schedule18:12 - 6 Qershor, 2022

schedule 18:12 - 6 Qershor, 2022

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e së hënës në Fushë Krujë. Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Punëtori”, ku pas një konflikti të çastit, 44-vjeçari Blerim Selaci ka plagosur me armë zjarri 62-vjeçarin Lutfi Kupa.

Kupa ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Si duket, 62-vjeçari është djali i xhaxhait të Ilir Kupës, i cili njihet për arratinë nga burgu grek, dhe si anëtar i bandës së “Babagjyshëve.”

Megjithatë këta dy të fundit prej vitesh nuk komunikojnë me njëri-tjetrin. Ndërkohë, në kërkim është shpallur autori i plagosjes dhe policia ka rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj.

Kupa është njëri ndër të dënuarit shqiptarë që u arratis me bujë nga burgu i Trikallas në Greqi në vitin 2013 duke shkaktuar tërmet në sistemin e drejtësisë në shtetin helen. Ai është i lidhur edhe me grabitjen e në qendrën tregtare në prag të vitit të ri, ku një grup personash të veshur si Babagjyshë të Vitit të Ri u futën në një argjendari duke marrë me vete sasi të mëdha floriri.

Pas arrestimit, Kupa u dënua me 23 vite burg për grabitje dhe armëmbajtje pa leje.

Banda e babagjyshëve

“Banda e babagjyshëve” u shkatërrua në vitin 2014 nga Policia e Shtetit. Grupi përbehej nga 11 persona, të cilët akuzohen për vjedhjen e disa argjendarive në Tiranë, qytete të tjera brenda vendit, por edhe jashtë tij. Banda përbëhej nga Ilir Kupa; Fatmir Pjetri; Agustin Sula; Julian Qerushi; Dritan Kola; Saimir Kala; Mark Shpendi; Hajdar Sefa; Lin Kala; Edmond Selala dhe Angjelin Ndreka.

Mes grabitjeve të famshme të grupit është ajo e vitit 2014 në një qendër tregtare në Tiranë ku u futën dhe morën një sasi të konsiderueshme floriri. Hetimet zbardhën mekanizmin e funksionimit të grupit ku fillimisht vidheshin makinat që do të përdoreshin në krim, ato më pas digjeshin duke u ndërruar në ikje për të humbur gjurmët dhe 11 anëtarët kishin detyra të ndara mes tyre nga pikasja e biznesit që do grabitej e deri tek vendosja e orarit apo veshja që do përdorej. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!