Partia Demokratike ka kërkuar që KQZ të mos regjistrojë në zgjedhje Tom Doshin, i cili tashmë ka dorëzuar emrin e tij për të marrë pjesë në garë si Nr.1 në Tiranë nëpërmjet Partisë Social Demokrate.
Lexo edhe: Tom Doshi reagon pas kërkesës së PD që mos regjistrohet në zgjedhje: Kanë frikë nga humbja
Në deklaratën e saj, PD shprehet se Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje.
“Partia Demokratike i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos e rregjistrojë Tom Doshin në zgjedhjet e 25 Prillit. Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. PD i bën thirrje KQZ të zbatojë ligjin dhe të marrë këtë vendim, në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”, shprehet PD.
Deklarata e demokratëve erdhi pas kërkesës së ambasadores amerikane Yuri Kim që Tom Doshi të mos kandidonte në zgjedhje. Megjithatë, ai e futi emrin dy ditë më parë si i pari i PSD-së në Tiranë dhe Shkodër. /abcnews.al