Përplasja mes institucionit të Presidentit dhe maxhorancës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese ka arritur kulmin, aq sa tani po flitet hapur për shpërndarje të Parlamentit nga Meta.
Përmes një postimi të shkurtër në Facebook, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi shkruan se “Parlamentin do ta shpërndajë populli. Presidenti vetëm do të zbatojë vullnetin e tij”, duke paralajmëruar kështu shpërndarjen e Parlamentit.
“Parlamentin do e shpërndajë populli. Presidenti vetëm do zbatojë vullnetin e tij.
Dhe dekretin për kthimin e ligjit për grushtin e shtetit do e vendosë populli. Presidenti vetëm do e firmosë në emër të tij.DO KETË DISA DEKRETE PËR SHPARTALLIMIN E GRUSHTIT TË SHTETIT.
BËNI DURIM! DEKRETET DO T’I ZBATOJË POPULLI SHQIPTAR”, shkruan Blushi në Facebook.
Reagimi i Metës përmes Blushit erdhi pas deklaratës së Ulsi Manjës nga Korça se për të ishte e paimagjinueshme që të mendohej shpërndarja e Parlamentit nga Presidenti Meta.
I pyetur për paralajmërimet se Meta nuk do të dekretonte ligjin për Gjykatën Kushtetuese, Manja tha se deklaratat u bënë për të eklipsuar atë që ndodhi me Konferencën e Donatorëve.
“Në fakt unë jam njohur dje me deklaratën e presidentit të Republikës dhe më erdhi keq që presidenti zgjodhi të bëjë një deklaratë të tillë në një ditë shumë të rëndësishme për shqiptarët.
Dje ishte konferenca e donatorëve ku Shqipëria mori mbështetjen e miqve dhe partnerëve lidhur me fatkeqësinë natyrore të datës 26 nëntor dhe nuk më erdhi mirë që presidenti me një deklaratë të tillë në Tiranë kërkoi të eklipsonte një konferencë të jashtëzakonshme për shqiptarët dhe unë gjej rastin të falënderoj donatorët dhe kryeministrin.”, u shpreh Manja pak më parë. /abcnews.al