Bordi i Transparencës vendosi që çmimi i naftës të jetë 203 lekë/ litri për periudhën 16-21 mars, kurse i benzinës 206 lekë/ litri.
Vendimi i Bordit të Transparencës vjen pas një rritjeje të fortë të çmimit të karburanteve dhjetë ditë më parë në treg duke kapur çmimin maksimal prej 270 lekë/ litri si për naftën ashtu edhe për benzinën.
Kjo ndodhi kur çmimi i naftës në bursë arriti në mbi 130 dollar për fuçi, por tashmë që ai ka zbritur nën 100 dollar, ulja po reflektohet shumë ngadalë. Një ditë më parë, bordi vendosi që çmimi të ishte 211 lekë/ litri ndërkohë që çmimi në bursë ishte rreth 95 dollar/ fuçia.
Nëse do të krahasonim periudhat dhe çmimin e naftës në bursa, do të duhej që ai të zbriste nën 200 lekë/ litri në Shqipëri për të parë një stabilizim të situatës. /abcnews.al
Vendimi i Bordit
Bordi i Transparencës i ngritur me vendim Qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, sot në datë 16 mars 2022, në mbledhjen e tij të rradhës, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, ky Bord vendosi:
- Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 199 lekë/litër, dhe nënproduktit benzinë për periudhën 16 Mars-21 Mars 2022, të jetë 193 lekë/litër
- Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 16 Mars-21 mars 2022, të jetë 203 lekë/litri.
- Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 16 Mars-21 mars 2022, të jetë 206 lekë/litri.
- Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 16 Mars-21 mars 2022, të jetë I pandryshueshëm 93 lekë/litri.
Bordi i Transparencës do mblidhet përsëri ditën e hënë, datë 21.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Nortmativ. /abcnews.al