Mbytja e 17-vjeçares, policia: Vajza me pushime me familjen, djali doli nga deti pas dy orësh

schedule10:56 - 20 Gusht, 2020

schedule 10:56 - 20 Gusht, 2020

Policia ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë ku një vajzë u gjet e mbytur në plazhin e Velipojës.

Sipas policisë 25-vjeçari që drejtonte motorin e ujit të marrë me qira ka dalë nga deti pa vajzën që është gjetur e mbytur pas dy orësh e gjysmë.

Kjo e fundit ka qenë me pushime me familjen në Velipojë.

“Vihet në pranga një 25-vjeçar për ngjarjen e ndodhur në Velipojë ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Shërbimet e Policisë Velipojë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare, organizuan punë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shodër për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– I. B., 25 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Njesia Administrative Postrribë Shkodër.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se më datën 19.08.2020, rreth orës 14:00, në vendin e quajtur Vilu, plazh Velipojë Shkodër, ky shtetas ka hyrë në det me motorr uji të marrë me qera së bashku me shtetasen E. D., 17 vjeçe, banuese në Bathore.

Rreth orës 16:30, ky shtetas ka dalë në breg pa motorrin e ujit duke lënë të mbytur në ujë shtetasen E. D., e cila kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e saj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua çelësi i motorrit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, njopfton policia.