Gjykata e Tiranës ka liruar katër të dyshuarit për dosjen e bujshme “Toyota Yaris”, në të cilën u kapën 3.4 milion euro në portin e Durrësit. Kështu, katër të dyshuarit tashmë nuk do të jenë më në burg, por me një masë sigurie të lehtë “detyrim paraqitje”.
Lirimi i tyre erdhi pasi u shkri Gjykata e Krimeve të Rënda dhe u krijua SPAK dhe Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo e fundit vendosi ta kalojë dosjen “Toyota Yaris” tek Gjykata e Tiranës, duke rrëzuar akuzën kryesore për “grup të strukturuar kriminal”.
Për këtë arsye, sot Gjykata e Tiranës vendosi të zbusë masën e sigurisë për personat e dyshuar, duke liruar nga paraburgimi 4 të arrestuarit. Vendimi u mor nga gjykatësi Lazër Sallaku.
Do të lënë qelinë Alban Mollaymeri, Agim Cekaj, Klevi Cani dhe Edi Lika, ndërsa Elvis e Alfred Vladi, ishin në kërkim dhe u nuk arrestuan asnjëherë. Të 6 personat nga sot e në vazhdim do të hetohen të lirë vetëm për akuzën e mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Dosja “Toyota Yaris”
Në datë 24 Qershor 2018, në Portin e Durrësit , janë sekuestruar 3.4 milion e 470 mijë euro cash, të fshehura në bagazhet e dy makinave “Toyota Yaris”, ndërsa po transportoheshin me trajler nga Belgjika.
Policia arrestoi 4 persona ndërsa u shpallën në kërkim dy të rinj nga Peshkopia, por me banim në Tiranë, të cilët dyshohet se ishin porositësit e ngarkesës së sekuestruar e cila ishte nisur nga Gjermania, përmes linjës së trageteve Ancona-Bari.
Policia arrestoi atëhere në flagrancë shtetasit:
Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës;
Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë;
Klevi Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë;
Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
U shpallën në kërkim:
Alfred Vladi 33 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë;
Elvis Vladi 38 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga shtetasi Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambjente të tjera të personave të dyshuar.
U sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
3,366,800 euro dhe 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara;
80,000 franga zvicerane.
10 automjete, nga të cilat 7 automjete të tipit ‘Toyota Yaris’, 1 tip ‘Alfa Romeo’, 1 tip ‘Opel’ dhe 1 tip ‘Bizark’.
1 armë kallashnikov me 2 krehëra fishekë, gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.Çeka;
1 radio policie;
7 telefona celularë.
/abcnews.al