Pas një pushimi gati një orë për t’u konsultuar me krerët e partive, përfaqësuesit e opozitës dhe maxhorancës janë rikthyer në rezidencën e ambasadores amerikane Yuri Kim për të vijuar negociatat me qëllim miratimin e Reformës Zgjedhore.
Fillimisht në rezidencë është kthyer Damian Gjiknuri, ndërsa më vonë u panë edhe Oerd Bylykbashi me Petrit Vasilin.
Pas disa ditësh negociata, dy janë pikat ku palët ndahen. E para lidhet me identifikimin biometrik. Opozita kërkon aplikimin e tij në të gjithë vendin, kurse maxhoranca aplikimin në vetëm 10% sipas udhëzimeve të OSBE-ODIHR.
Pika e dytë lidhet me depolitizimin e administratës zgjedhore, por këtu duket se palët janë më afër krahasuar me të parën.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, ambasadorja amerikane deklaroi se palët duhet të heqin dorë nga kushtet që dalin jashtë sugjerimeve të OSBE-ODIHR, ndërsa kërkoi arritjen e një marrëveshjeje sa më parë.
Ky është edhe shkaku se përse takimet po mbahen tek rezidenca e saj dhe jo më tek Pallati i Kongreseve. /abcnews.al