Gjendet i pajetë një person në Fushë Prezë, në kryqëzimin me rrugën e Rinasit. Mësohet se viktima Abdulla Budlla 71-vjeç është konstatuar i shtrirë në anë të rrugës.
Gazetarja Xhensila Kodra bën me dije se paraprakisht dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. 71-vjeçari dyshohet të jetë qëlluar nga një mjet në lëvizje.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ku vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë raportohet se në zonë nuk ka kamera sigurie.
Ndërkohë Policia njofton se është bërë rrethimi i zonës dhe se janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Rinas -Fushë-Krujë, Rinas-Vorë -Tiranë.
Tiranë/Informacion paraprak
Me datë 03.08.2020, rreth orës 16:45, në Fushë-Prezë, në kryqëzim me rrugën e Rinasit, në rrethana ende të paqarta dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi A. B. 71 vjeç, banues në fshatin Hametaq, Njësia administrative Prezë.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje , ku kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Rinas -Fushë-Krujë, Rinas-Vorë -Tiranë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.