Lajmi se Zoran Zaev ka dhënë dorëheqjen u shpërnda shumë shpejt në mediat online dhe rrjetet sociale, por duket se kjo nuk është e vërtetë.
Korrepondentja i “Abc News” në Maqedoni Xhumadije Ibrahimi konfirmon duke raportuar nga Shkupi se Zaev nuk ka dhënë dorëheqjen ndryshe nga sa raportoi agjencia e lajmeve italiane ANSA.
“Në këto momente jemi në selinë e LSD-së ku një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Deri në këto momente kryeministri Zoran Zaev nuk ka konfirmuar dorëheqjen e tij. Të pyetur nga mediat në qeverinë e RMV nëse është e vërtetë një gjë e tillë dhe a do të ndodhë ata u përgjigjën duke thënë se deri në këto momente po bëhen të gjitha diskutimet dhe po analizohen të gjitha alternativa se çfarë do të ndodhë më tej”, vijoi korrepondentja e ABC News.
Agjencia italiane raportoi gjatë mesditës së sotme se Zaev dha dorëheqjen pasi vendi i tij nuk arriti të hapë negociatat me Bashkimin Europian.
Ky ishte një zotim i Zaevit në fillim të marrjes së mandatit të kryeministrit, gjë të cilën mbetet për ta vërtetuar nëse do ta mbajë ose jo në orët apo ditët në vijim./abcnews.al