Ekipi i ABC raporton nga Kievi: Qyteti në gjendje lufte, vetëm spitalet dhe posta hapur

schedule15:25 - 5 Mars, 2022

schedule 15:25 - 5 Mars, 2022

Ekipi i ABC është futur në qytetin e Kievit. Gazetari Taulant Kopliku bashkë me operatorin Ardian Kamberi raportojnë nga Kievi duke theksuar se situata është e vështirë dhe gjithçka të kujton luftën.

Kemi udhëtuar 20 orë nga Lvivi deri këtu. Na është dashur që të lëvizim nëpër rrugë fshatrash. Ka barrikada kudo nëpër qytet dhe kontrolle të befasishme nga forcat mbrojtëse. Dyqanet dhe shërbimet e tjera janë të mbyllura. Unë kam parë radhë të gjata kilometrike makinash që kërkojnë të largohen nga kryeqyteti“, tha ai nga Kievi.

Gazetari i ABC raporton se funksionojnë vetëm spitalet, posta si edhe bankomatet, ndërkohë që shërbimet e tjera janë mbyllur.

Brenda Kievit nuk ka karburante. Ne kemi hasur vështirësi për t’u furnizuar me karburant në Kiev. Madje edhe atje ku kemi mundur të marrim karburant, ka qenë i rracionuar. Nuk merrje dot më shumë se 20-30 litra për makinë“, raporton ai.

Kopliku raporton se gjatë gjithë rrugës ka hasur me qytetarë dhe ushtarakë të, të cilët përshëndesnin me shprehjen “Lavdi Ukrainës!”.

Ai tregon edhe se si qytetarët janë të frikësuar nga bombardimet ruse duke theksuar se deri më tani në kryeqytet nuk ka patur gjuajtje me avion, por vetëm me raketa me rreze të gjatë veprimi.

Ekipi i ABC ndodhet prej disa ditësh në Ukrainë, ndërsa mbrëmjen e djeshme mundi të futej përmes rrugëve dytësore në kryeqytet. Gjatë orëve në vijim, ABC dhe Abcnews.al do t’ju mbajnë të informuar në lidhje me ngjarjet më të fundit atje. /abcnews.al