Basha: Ndryshimet e njëanshme të papranueshme, Rama refuzoi hapjen 100% të listave

schedule13:44 - 30 Korrik, 2020

schedule 13:44 - 30 Korrik, 2020

Pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë për mediat se bashku me aleatët.

Basha është shprehur se me hapin e sotëm kryeministri Edi Rama dhe deputetët kanë shkelur Kushtetutën. Ai tha se ndryshimet janë të papranueshme pasi janë në kundërshtim me marrëveshjen e 5 qershorit.

Lexo edhe: Rama ftesë opozitës: Nesër takohemi në Këshillin Politik, kush s’vjen mbetet jashtë vendimmarrjes!

Basha tha se opozita do të vijojë betejën për të mbrojtur votën e lirë dhe se koalicioni i tyre është me qytetarët.

“Atyre që kërcënojnë të na kthejnë në të shkuarën e partisë-shtet, ne do t’u tregojmë se nuk ka më kthim pas. Prandaj, ne do të vazhdojmë betejën për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur votën e lirë, dhe për të fituar zgjedhjet bashkë me shqiptarët.  Asgjë nuk e ndal dot koalicionin mbarëpopullor kundër Ramës. Për ditë më të mira për familjet tona, për prindërit tanë, për fëmijët tanë.

Fuqia jonë është tek vota dhe mbështetja e qytetarëve. Ky vullnet nuk zhbëhet dot nga maskarada si kjo e sotmja. Opozita e bashkuar do ta sjellë ndryshimin që duan të gjithë shqiptarët! Sado të përpiqen ta manipulojnë sistemin, koalicionin e madh të shqiptarëve nuk e tjetërsojnë dot. Ne qëndrojmë të bashkuar dhe flasim njëzëri: kur të vijë dita e zgjedhjeve, në Shqipëri do të vendosë vetëm vullneti i popullit shqiptar“, tha Basha.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!