Në kërkim për masakrën e Lushnjes, arrestohet në Tiranë shoku i Orgest Bilbilit

schedule18:00 - 13 Gusht, 2020

schedule 18:00 - 13 Gusht, 2020

Arrestohet në Tiranë Anterio Kaloshi, shoku i Orgest Bilbilit. Abcnews.al mëson se 29-vjeçari nga Lushnja është kapur pasditen e sotme gjatë një aksioni të policisë në Qesarakë.

Në momentin e arrestimit, Kaloshi ka qenë bashkë me Meardi Berberin, të kërkuarin për atentatin e ndodhur në hotel “Volorekën” mëngjesin e 8 gushtit.

Gjatë aksionit atyre i janë gjetur dhe sekuestruar edhe armë.

Kaloshi i shpëtoi policisë mesditën e 10 prillit ku në pranga u vu shoku i tij Orgest Bilbili i cili po lëvizte me kapuç në kokë gjatë periudhës së izolimit.

Një efektiv i forcave “Shqiponja” vuri re lëvizje të dyshimta të tij dhe iu afrua për ta kontrolluar por në momentin që i bëri thirrje ai e kërcënoi me armë.

Polici e ndoqi dhe më pas e qëlloi me plumb në këmbë për ta neutralizuar, duke bërë më pas të mundur edhe arrestimin e tij.

Kaloshi, i cili jetonte në një apartament me Bilbilin arriti t’ia mbathë. Policia gjeti në shtëpinë e marrë me qira me firmën e Jurgena Xh., e dashura e Anterio Kaloshit një pasaportë të këtij të fundit, 900 euro si edhe një armë që dyshohet se i përkiste Kaloshit.

Anterio Kaloshi ishte shpallur në kërkim për masakrën e ndodhur në Lushnje në vitin 2017.

Në ngjarjen e tre viteve më parë u ekzekutuan me armë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marius Xhepexhiu.

Më 28 korrik të këtij viti bashkë me rivalin e Aldo Bares, Laert Haxhiun, Kaloshi arriti t’i shpëtonte aksionit të policisë për kapjen e tij.  RENEA kontrolloi 13 banesa, por nuk arriti të arrestonte të shumëkërkuarit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!