Arta Marku “shpëton” ish-krybashkiakun socialist, Apeli liron Agim Kajmakun

schedule14:49 - 8 Korrik, 2020

schedule 14:49 - 8 Korrik, 2020

Ka qëndruar vetëm 24 orë i arrestuar, ish-kryebashkiaku socialist i Vorës Agim Kajmaku  i vënë në pranga një ditë më parë pas tetë muajsh në kërkim.

Gjykata e Apelit ka ndryshuar sot masën e sigurisë për ish-kreun e Bashkisë së Vorës, një ditë pas arrestimit të tij.

Ka qenë prokurorja e çështjes Arta Marku e cila ka kërkuar zbutje të masës së sigurisë, duke argumentuar qëndrimin e saj për shkak të ndryshimit të rrethanave të ngjarjes.

Sipas Markut, Kajmaku nuk është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe nuk rrezikon të largohet nga Shqipëria. Nga ana tjetër, Kajmaku ka paraqitur dokumentacionin e nevojshëm ku vërtetohet se ka 15 vite që vuan nga diabeti.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar “arrest shtëpie”, ndërsa avokati ka kërkuar “detyrim paraqitje” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, kërkesë e cila është pranuar nga trupa gjykuese.

LEXO EDHE: Mjekët njoftuan policinë, si u arrestua në spital Agim Kajmaku

Avokati i Kajmakut Isuf Shehu i tha gazetares së ABC News Glidona Daci se gjendja e tij nuk është e qëndrueshme, ndërsa ky i fundit nuk është paraqitur ditën e sotme në seancën gjyqësore.

Kajmaku u arrestua në spitalin “Continental” në Tiranë ku ishte paraqitur në gjendje të rëndë shëndetësore, por u kallëzua nga mjekët të cilët njoftuan policinë.

Ish-kryebashkiaku i Vorës  u shpall në kërkim në kërkim nga policia në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa u shkarkua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit, dënimin në shtetin grek, për falsifikim dokumentesh.

Kjo akuzë u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.

Pikërisht fshehja e këtij fakti çoi në shkarkimin e tij dhe nisjen e hetimeve. Prokuroria firmosi urdhër-arrestin për Kajmakun më 11 nëntor të vitit të kaluar.

Ndaj Kajmakut rëndojnë akuzat për tre vepra penale, “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve zyrtarë” si dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies së tij”. Gjykata ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!