Dy vajza kanë ndërruar jetë pasditen e sotme. Është ky bilanci tragjik i aksidentit të ndodhur në dalje të tunelit të Krrabës si pasojë e përplasjes së një automjeti “Benz” me një “Volkswagen”.
Sipas policisë ka qenë mjeti tip “Benz” ai që ka goditur automjetin e dytë ku ndodheshin katër vajza. Si pasojë e përplasjes së fortë ato kanë mbetur të bllokuara brenda makinës.
Pasi janë nxjerrë nga automjeti me ndihmën e forcave zjarrfikëse, ato janë dërguar në spital. Dy prej tyre nuk kanë arritur t’i mbijetojnë plagëve të rënda.
Ndërsa dy të tjerat, me origjinë nga Shkodra, janë nisur drejt spitalit të Traumës në Tiranë për një ndihmë më të specializuar mjekësore.
Vajzat ishin shoqe me njëra-tjetrën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe sqarimin e shkakut të aksidentit.
“Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në dalje të tunelit të Krrabës, mjeti tip “Benz”, dyshohet se ka goditur mjetin tip “Volkswagen”, ku udhëtonin 4 shtetase.
Shërbimet e Policisë dhe të zjarrëfikses kanë bërë e mundur nxjerrjen nga mjeti të 4 shtetasve të cilit ishin të bllokuar, të cilat u transportuan menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, ku 2 shtetase si pasojë e palagëve të marra kanë ndërruar jetë në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe sqarimin e shkakut të aksidentit”, njofton policia./m.v. abcnews.al
Pamje nga vendi ku ndodhi ngjarja