PAMJET/ Po udhëtonte drejt Kamzës, 43-vjeçari përplaset me kolonën e betonit në Tapizë dhe ndërron jetë

schedule07:52 - 15 Tetor, 2021

schedule 07:52 - 15 Tetor, 2021

Një aksident me pasojë vdekjen, ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Ura e Tapizës-Fushë Krujë. Një 43-vjeçar me iniciale E. C. ka humbur kontrollin e mjetit pranë kthesës në vendin e quajtur “Ura e Tapizës” duke u përplasur me një kolonë betoni që shërbente për ndërtimin e urës e cila aktualisht është në proces rikonstruksioni.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:17 dhe duket se errësira e ka penguar drejtuesin i cili po udhëtonte në drejtim të Kamzës, të orientohet pa arritur të shmangë kolonën e betonit.  Policia njofton se tashmë grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.

“Më datë 15.10.2021, rreth orës 05:17, në aksin rrugor Ura e Tapizës-Fushë Krujë, një mjet me drejtues shtetasin E. C., 43 vjeç, banues në Kamëz, ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga, e për pasojë ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ura e Tapizës prej disa muajsh është në proces rikonstruksioni dhe aktualisht lëvizja e automjeteve bëhet me një rrugë alternative deri në përfundim të punimeve. Afati për ndërtimin e saj ishte parashikuar fillimisht deri në 30 shtator, por me zgjatjen e punimeve, autoritetet kanë njoftuar se ajo do të jetë gati brenda këtij viti. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!