Agim Kajmaku tërhiqet nga kërkesa për ndryshimin e “arrestit me burg”

schedule10:56 - 28 Janar, 2020

schedule 10:56 - 28 Janar, 2020

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Agim Kajmakut, ish-kryebashkiakut të Vorës për heqjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Siç raporton gazetarja e ABC News Glidona Daci, mësohet se shkak i rrëzimit të kërkesës është bërë mungesa në seancë e Kajmakut dhe avokatit të tij.

Më herët, ish-qytetari i parë i Vorës, ishte nën akuza publike nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.

Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

Aktualisht, Kajmaku është në arrati pa asnjë informacion për vendodhjen e tij.

Sipas prokurorëve, raportoi Glidona Daci për abcnews.al,  dyshohet se Kajmaku mund të jetë larguar jashtë vendit.

Policia e ka shpallur në kërkim dhe po punon për kapjen e tij, në mënyrë që socialisti të përballet me drejtësinë.

Prokuroria ka ngritur disa akuza për Kajmakun, pasi në ngarkim të tij janë disa vepra penale si “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal.

Akuzat kundër tij janë ngritur, pasi dyshohet se ai ka marrë vendime pasi KQZ kishte vendosur për shkarkimin e tij nga detyra.

Pas vendimit që KQZ kishte marrë kundër tij, ai ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë dhe emëroi një të besuar të tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!