KQZ i heq mandatin Agim Kajmakut me votim 5 me 0

schedule11:10 - 1 Nëntor, 2019

schedule 11:10 - 1 Nëntor, 2019

KQZ ka shkarkuar me pesë vota pro Agim Kajmakun. Vendimi u paralajmërua më parë nga nënkryetari i KQZ. Pas këtij vendimi, Agim Kajmaku ka të drejtë ta ankimojë vendimin brenda 45 ditëve.

Nënkryetari Denar Biba e paralajmëroi këtë vendim gjatë fjalës së tij më parë duke thënë se pavarësisht se Agim Kajmaku nuk preket nga ligji i dekriminalizimit, ai penalizohet nga vendimi i Kuvendit që parashikon që në rast të fshehjes së dënimeve, funksionari publik shkarkohet nga funksioni.

Nënkryetari i KQZ-së shtoi se nga ana profesionale ai është kundër këtij vendimi, por ai tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të respektojë vendimin e legjislatorit.

Jemi në një fazë shumë delikate. Morali i shoqërisë është duke u ndërtuar dhe nuk duhet harruar që dhe krimineli më i madh ka dinjitet. Organet shtetërore duhet të mbrojnë dinjitetin e çdo qenie.

Në rastin konkret zotëria që është subjekt i hetimit, dhe nga materialet që ka ardhur nga prokuroria është dyshuar, është arrestuar dhe ka pasur arrestim për të për qarkullim të monedhave të falsifikuara“, tha Biba.

Disa ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme përmes një shkrese nga prokurori Arben Kraja, i bënte të qartë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve se ka përfunduar hetimet për shtetasin Agim Kajmaku, duke bërë edhe vlerësimin e tij se kryebashkiaku i Vorës, nuk është subjekt i ligjit të dekriminalizimit me veprën që ka kryer, por mandati i tij duhet të përfundojë menjëherë, për shkak se ai nuk ka deklaruar veprën për të cilën ishte nën hetim në shtetin grek.

“Nga verifikimet e kryera rezulton se subjekti ka qenë në hetim dhe është arrestuar në flagrancë për qarkullim monedhash të falsifikuara. Ndërkohë në vendimin datë 13.09.2019, Nr.236/2019 të Gjykatës së Janinës, është shpallur i pafajshëm. Gjithashtu ka qenë në hetim për dy raste nga Prokuroria e rrethit Gjyqësor Tiranë, por në të dy rastet procedimet penale janë pushuar. Për këtë arsye subjekti nuk përfshihet në asnjë nga rastet e ndalimeve parashikuar në nenin 2 të ligjit Nr.138/2015. Ndërkohë, konstatohhet se subjekti deklarues, Agim Kajmaku(Jorgo Toto) përfshihet në përcaktimet e pikës 3, gërma “ç”, kreu III,  i vendimit nr.17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë”, shkruhet në shkresën e prokurorisë drejtuar KQZ.

Mosdeklarimin e këtij rasti në formularin e dekriminalizimit, Kajmaku e justifikoi me mosdijeni të hetimit ndaj tij në Greqi.

Por prokurori që ka hetuar rastin e Agim Kajmakut hodhi poshtë edhe këtë pretendim të tij.

“Nga verifikimet e kryera konfirmohet se subjekti Agim Kajamaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një process gjyqësor penal në zhvillim. Kjo, sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër rezulton se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen këtij fakti para autoriteteve shqiptare,duke ndryshuar në datë 30.3.2004 emër/mbiemër nga “Jorgo Toto” në “Agim Kajmaku”, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e Vetëdeklarimit”, shkruhet në dokumentin e prokurorisë.

Ndërkohë, avokati i Kajmakut, Isfus Shehu hodhi dyshime mbi procesin e verifikimit nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme ndaj kryetarit të Bashkisë së Vorës.

“Prokuroria nuk ka mundur të administrojë asnjë vendim të formës së prerë për Agim Kajmakun. Administrimi i akteve nga ana e Prokurorisë duhet të bëhet vetëm në rrugë zyrtare, dhe duhet të ishin bërë përmes letërporosiv.”-ka deklaruar Isuf Shehu.