Nga Edi Oga
Ka akoma nga ata, të cilët nuk e kanë marrë ende veten nga fakti “i beftë” që paga e tyre dhe të tjera të dhëna personale, u bënë publike dhe të aksesueshme nga kushdo!
- U ra e papritur! – Mua jo, sepse 10 muaj më parë u publikua lista e patronazhistëve.
- U duket e frikshme! – Lista që përmenda më lart është horror, krahasuar me këtë!
- U duket e pamundur! – Është gjëja më e thjeshtë në Botë. Mjafton një “klik” i dikujt që mendon se me këtë veprim do të fitojë diçka apo do të hakmerret ndaj dikujt!
- U duket e padrejtë! – Drejtësi të drejtë mund të japë vetëm “i Gjithëfuqishmi”!
- U duket e ndëshkueshme! – Pa dyshim! Por ai që nuk e ruajti ka 10 herë faj më tepër se ai që e shpërndau.
Kjo që ndodhi ishte një leksion i shkurtër por ashpër si një “dru dhëmbëve” për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar akoma se sa i vogël është përmasa e lirisë së tyre.
Jo gjithkush është i vetëdijshëm që ne kemi falur liri në emër të sigurisë.
Liria jonë është e reduktuar, e monitoruar, e ndikueshme dhe e tjetërsueshme jo vetëm pa pëlqimin tonë, por edhe pa dijeninë tonë.
Ndërkohë që ne shohim se si “Big Brother” vëzhgon çdo detaj nga jeta e disa qyqarëve të mbyllur në një shtëpi, një tjetër “Brother” akoma më “Big”, na ka ne “lojtarë” të spektaklit të tij skllavërues!
Sa për atë që disa janë të mërzitur që të tjerë kanë rroga “jashtë logjikes” duhet të dinë që këta të fundit mendojnë dhe besojnë se u takon akoma më shumë!
Si përfundim, e parë në një këndvështrim pozitiv, qytetarëve shqiptarë iu shtua një e drejtë që nuk e kanë as në vendet më demokratike të Botës: “e drejta” për të ditur rrogën e tjetrit! /abcnews.al