Stefano Sensi ishte një nga përforcimet e Interit në merkaton e verës. Zikaltrit e morën mesfushorin në huazim nga Sassuolo me të drejtë blerje në fund të sezonit për 25 milionë euro.
24-vjeçari po zhvillon lojëra shumë të mira dhe është kthyer në një lojtar kyç të ekipit të Antonio Contes. Zikaltrit renditën në vend të dytë në kampionat dhe ndeshja e radhës do të zhvillohet në transfertë kundër Sassuolos.
Rikthim në “shtëpi” për Sensin, i cili mund të ishte një lojtar i… Barcelonës! Diçka të tillë e rrëfen Giovanni Carnevali. Drejtori sportiv i Sassuolos zbulon prapaskenën e verës në prononcimin e dhënë për Corriere dello Sport.
“Kur ndodhesha në Barcelonë për tratativën me Marlon, një prej drejtuesve spanjollë më pyeti për Sensin. E njihnin mirë dhe e ndiqnin prej kohësh, por Interi u tregua më i shkathët. Ishte ditë e premte kur mbyllëm akordin me zikaltrit. Aty mori pjesë edhe Conte, ndërkohë që të hënën pasardhëse kisha lënë një takim me Barcelonën. Bravo Interit që tregoi vendosmëri dhe besoi te Stefano“, përfundon Carnevali. /abcnews.al