Diçka më shumë se 24 orë na ndajnë nga përballja më e rëndësishme e këtij viti për “Legjionarët” tanë, teksa në “Signal Iduna Park” do të sfidojnë Italinë, në sfidën e parë, në rrugëtimin e tyre, të dytë në histori, në një Kampionat Evropian të futbollit, ku padyshim ndaj një rivali të madh, si “Të Kaltërit” do të kërkojnë një rezultat të madh.
Këtë të premte do të zhvillohen edhe konferencat zyrtare për shtyp, ku pas “Të Kaltërve”, të Italisë, tashmë kanë dalë edhe “Legjionarët” tanë, ku bashkë me teknikun Sylvinho është edhe kapiteni Berat Gjimishti. Braziliani i pankinës tha se grupi është i vetëdijshëm për rëndësinë e garës dhe se do të dalin në fushë për të luftuar për çdo pikë të mundshme.
“Ne e dimë se çfarë gare e madhe është kjo. E dimë se sa të mëdhenj janë kundërshtarët tanë. Në vitin 2018 ishim në Botëror me Brazilin dhe kemi luajtur një ndeshje si të barabartë, me Zvicrën dhe në disa raste kur kërkon të fitosh një ndeshje bëhet shumë e vështirë edhe për favoritët në letër. Italia nuk mund t’i lejojë vetes shumë gabime. Ne do të dalim në fushë dhe do të luftojmë për secilën pikë e më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë.
Ne kemi studiuar të gjithë kundërshtarët tanë gjatë javëve të fundit, ku padyshim jemi përqendruar shumë tek Italia, sidomos këtë javën e fundit, ku kemi punuar prej 8 ditësh, gjë që është shumë e rëndësishme në botën e futbollit. Natyrisht ndeshja e parë do të jetë më e rëndëishmja. Jemi përgatitur siç duhet dhe presim të bëjmë mirë ndaj Italisë”,- tha tekniku brazilian. /i.m /abcnews.al