Gjatë muajit qershor “Shpresat” do të përfundojnë ndeshjen me Malin e Zi e vlefshme për kualifikueset e EURO2025, e cila u ndërpre në minutën e 27-të për shkak të kushteve atmosferike më 21 nëntor 2023 dhe që është planifikuar të luhet më 7 qershor, si dhe do të zhvillojnë një takim miqësor edhe me Lihtenshtejnin, që do të luhet më 11 qershor.
Për këtë arsye, tekniku i Kombëtares U21 të Shqipërisë, Alban Bushi shpalli këtë të mërkurë listën e lojtarëve të grumbulluar për këto dy sfida dhe menjëherë pas publikimit të listës zhvilloi edhe një konferencë për shtyp nga ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Bushi deklaroi se është i lumtur për ekipin që ka në dispozicion, teksa theksoi se shpreson që Berisha t’i kthehet në skuadër për ndeshjen me Malin e Zi. Më tej, tekniku i “Shpresave” tregoi edhe se si e bindi Antzelo Sinën për të zgjedhur Shqipërinë në vend të Greqisë, duke qenë se ka marrë ftesë edhe nga vendi fqinj, ai theksoi se portieri dëshiron të luajë për vendin e tij. /i.m /abcnews.al
Konferenca për shtyp e teknikut Alban Bushi:
Berisha dhe Simoni te Kombëtarja A: “Jam i kënaqur për lojtarët që kam në dispozicion. Kam pasur bindjen që Berisha do të shkonte në ekipin A, por ndodhi më herët seç e prisnim. Ai ka qenë lojtar shumë deçisiv në ekipin tim. Mbaj mend që ishte pjesë e Kosovës dhe i premtova shiritin e kapitenit që të vinte te ne. Ia premtova sepse shihja që kishte potencial dhe se ishte një lider dhe e meritoi plotësisht atë shirit. Shpresoj që Berisha të kthehet me ne për ndeshjen ndaj Malit të Zi”.
Si e binde Sinën të zgjidhte Shqipërinë dhe jo Greqinë? “U bind sepse në radhë të parë është shqiptar dhe ndaj erdhi. Ai nuk do të luajë në ndeshjen e parë, atë ndaj Malit të Zi, pasi na lejohet të kemi vetëm ata lojtarë që kishin në fushë para se takimi të ndërpritej. Në atë ndeshje do kemi vetëm, 12 lojtarë në dispozicion, duke qenë se Berisha e Simoni mungojnë Megjithatë ai do të luajë në ndeshjen tjetër, pasi ai e ka treguar se është një lojtar i madh.
Alternativat për të bindur Grudën, Hasën dhe Vatën, a i keni kontaktuar? “Ne bëjmë punën tonë, po të shohim lojtarët që Kombëtarja A ka, të gjithë kanë ardhur nga skuadrat e grupmoshave të Shqipërisë. Këta që përmende ti patjetër që janë kontaktuar, FSHF-ja i kontakton të gjithë lojtarët shqiptarë, pastaj është zgjedhja e tyre nëse duan të luajnë për Shqipërinë apo jo. Lojtarët duhet ta tregojnë veten njëherë te ekipi U-21 pastaj te Kombëtarja kryesore, pasi vetëm ndonjë talent i rrallë mund të merret direkt nga skuadra e parë e Shqipërisë, lojtarët shumë të mirë duhet të luajnë njëherë për U-21.”