Angjelina Shaka ka publikuar një libër dedikuar vajzës së saj e cila nuk jeton më. Krijimet e së bijës vijnë në librin me titull “Marina…11 vite jetë”. Marina ëndërronte të bëhej një shkrimtare por gjithçka iu pre në mes pas një aksidenti me makinë që i mori jetën.
E ëma ka vendosur të sjellë në jetë atë që ka lënë pas e bija dhe për këtë foli gjatë një interviste që dha për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”. “Donte të bëhej një shkrimtare dhe të shkruante një libër. Vendosa që të shkruaj çdo gjë që ajo ka lënë pas dhe të bëja një libër për atë.
I mungonte babai i saj. Përsëri mundohesha që ta afroja se e kërkonte shumë, qante shumë për atë, më thoshte pse nuk më do babai. Dhe mua nuk më do, çfarë kam bërë ka qenë dhe shumë raste që Marina tregonte se më mirë të mos ekzistoja se do të ishte dhe më i lumtur pa mua.”, tha Angjelina.
Ajo tregoi se kishte menduar dhe vetëvrasjen. “Në muajt e parë kam qenë shumë keq emocionalisht. Isha në Tiranë dhe kam marrë makinën. Pavarësisht se shkoja dhe te psikologia, mendoja që të bëj të njëjtën por momentin që i dhashë gaz thashë ‘pse duhet të vuajë nëna ime atë që po vuaj unë’. Aty ndalova vetëm për nënën time.”, tha Shaka.
Më tej, ajo shtoi se përmes këtij libri dëshiron të përcjellë një mesazh të rëndësishëm. “Kam dashur të tregoj këtë histori nga Marina se ka fëmijë që kanë prindërit e ndarë dhe e vuajnë këtë gjë. Mesazhi im për prindërit është që sado të kenë mosmarrëveshje, të mos e bëjnë fëmijën e tyre të vuajë.”, tregoi ajo.
/abcnews.al