Luciano Spalletti bëri “mrekullinë” këtë sezon në “aventurën” e tij si trajner i Napoli, me teknikun që solli në jugun e Italisë, trofeun e Serie A pas 33 vitesh mungesë në skuadrën e “bluve”, teksa së bashku me Drejtorin sportiv arritën të krijonin një skuadër fantastike, me talent të madh e potencial për të ecur përpara.
Mirëpo, edhe pse fitoi titullin dhe ngjiti Napolin në “majat” e futbollit italian, e ardhmjan e teknikut Spalletti është ende në pikëpyetje të mëdha, me italianin që pati disa ditë më parë një takim kokë më kokë me Presidentin De Laurentiis, takim nga i cili nuk ka “rrjedhur” asnjë informacion.
Në përfundim të ndeshjes së djeshme ndaj “zikaltërve” të Inter, Spalletti shtoi edhe më shumë dyshimet për një “lamtumirë” të mundshme nga Napoli, teksa tha se gjithçka është vendosur dhe pritet të bëhet publike nga Presidenti.
“Unë pata një takim me Presidentin, ku sqaruam gjithçka dhe vendosëm gjithçka, sa i përket të ardhmes. Tani mbetet vetëm të bëhet publik ai vendim, gjë që i takon Presidentit De Laurentiis. E vendos ai kur duhet ta njoftojë vendimin tonë”,- tha tekniku italian në përfundim të përballjes me “zikaltërit”. /i.m /abcnews.al