E ardhmja, golat e artë dhe titulli kampion: Ernest Muçi rrëfehet në ABC News

schedule09:18 - 23 Korrik, 2020

schedule 09:18 - 23 Korrik, 2020

Ernest Muçi ishte zbulimi më i madh i sezonit në Superiore. Futbollisti i ri i Tiranës shkëlqeu me disa gola, sidomos në ndeshjet derbi ndaj Partizanit. Në intervistën e dhënë për Abc News ai flet për golat në derbi, rolin e trajnerëve në ecurinë e Tiranës dhe për të ardhmen.

Ishte në mënyrë absolute zbulimi i sezonit. Tek Tirana, trajnerët e moshave e njihnin mirë Ernest Muçin, ashtu si edhe trajnerët e ekipit të parë, Ze Maria, Ardian Mema, Julian Ahmataj dhe Emanuel Egbo, por shpejt erdhi dita ta njihnin edhe tifozët. Shënoi disa gola, të fundit ndaj Flamurtarit javën e kaluar, ndërsa në intervistën për Abc News flet për ecurinë e ekipit që fitoi titullin.

“Objektivi ynë ishte të fitonim titullin dhe kampionatin, por nuk e nisëm mirë. Gjatë rrugës ekipi u konsolidua, nisëm të krijonim besim te njëri-tjetri dhe po prodhonim lojë. E dinim që kishim potencial, por disa ndeshje nuk shkuan mirë. Asnjëherë nuk kemi krijuar idetë që nuk jemi ekip për titull, pasi i shikonim cilësitë tona. Thjesht fati deshi që në disa ndeshje të mos merrnim pikët që duheshin”, shprehet Muçi në intervistën e dhënë për gazetarin e ABC News, Bledar Kuka.

 

Golat më të rëndësishëm të tij ishin në derbi, plot tre, gjithnjë në minutat e fundit, madje edhe përcaktues. “Kur shënova golat në fitoren 5-1 në derbi, u futa në fushë pa presion fare. Rezultati ishte 3-1 dhe Partizani ishte me karton të kuq, ndaj doja thjesht ta shijoja atë moment dhe ia dola të shënoja dy gola. Goli i para dy javëve në derbi ishte shumë i rëndësishëm. Jam shumë i lumtur që shënova një gol që na e solli titullin kampion më shpejt”.

Sa rol kanë luajtur trajnerët, sidomos Mema dhe Egbo në konfirmimin e Muçit? “Fitimi i besimit të trajnerit ka qenë i vështirë pak, por në stërvitje kam shkuar me dëshirë. Mezi prisja të stërvitesha me ekipin e parë. Profesor Mema dhe Ahmataj kanë shumë rëndësi në këtë titull, por Egbo më shumë. Na ka lënë të shprehemi ne të rinjtë. Luajmë pa presion, sikur luajmë prej 4-5 vitesh këtu. Atë motivim që ka pasur ai, na e ka përcjellë edhe ne. Në fushën e lojës jemi të gjithë të motivuar nga fillimi në fund dhe kjo shihet”.

Gjithsesi, Muçi nuk do të mund të luajë gjatë me fanellën bardheblu për t’u bërë legjendë si shumë yje ndër breza. “Sivjet kam folur me menaxherin, me klubin. Me shumë mundësi mund të largohem nga Tiranë në një ekip në Europë. Gjithsesi do të shohim se çfarë do të ndodhë në dy javët në vazhdim”, u shpreh në mbyllje të intervistës, sulmuesi Muçi, autori i 7 golave në Superiore këtë sezon. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!