E ardhmja, ëndrra e madhe dhe çfarë e inatos: Dejvi Bregu “hap zemrën”

schedule11:28 - 23 Shkurt, 2020

schedule 11:28 - 23 Shkurt, 2020

Skënderbeu fitoi kundër Teutës në Korçë dhe protagonist ishte sulmuesi Dejvi Bregu, autor i dy golave në portën e durrsakëve. Në mbrëmje vlonjati ishte pjesë e emisionit “Zona Gol” dhe fillimisht foli për fitoren e arritur. “Ishte fitore e rëndësishme, ky trepikësh na ndihmon psikologjikisht dhe tregon vazhdimësinë e ndeshjeve të mira”, shprehet Bregu.

Për korçarët nuk është e lehtë të motivohen, kur e dinë që nuk mund të luajnë në Europë. Futbollistët e ndjejnë këtë edhe në fushë dhe Bregu pranon se ndihen keq. “Normalisht na vjen inat, sakrifikojmë, jemi larg shtëpive e familjeve, vijmë këtu për shkak të profesionit dhe nuk është serioze që na thonë pse luani. E ndiejmë edhe në stadium nga tifozët apo edhe nga kundërshtarët, nuk është korrekte që të ndodhin këto gjëra”, shton vlonjati.

 

Fjalë të mira për trajnerin Ilir Daja: “Pa dyshim që është ndër më të mirët e të cilët kam punuar. Desha ta falënderoj dhe e ndiej veten që jam rritur nën urdhrat e tij”. Sigurisht Bregu nuk mund t’i shmangte dot diskutimet për të ardhmen e tij. “Presidenti më ka thënë se deri në fund të shkurtit do të presim, pasi nuk i dihet se cila është oferta më e mirë për klubin apo për mua. Më janë thënë disa, por do të zgjedhim më të mirën për klubin dhe për mua”, shton sulmuesi i Skënderbeut.

Gjatë këtij sezoni korçarët kanë treguar forcën e tyre ndaj ekipeve që luftojnë për titullin. “Në ndeshjet me Tiranën, Partizanin e Kukësin, motivimi është më i madh, pasi na shohin si inferiorë dhe nuk është e drejtë. Me Jashanicën e Muzakën mund të ishim për vend të parë. Duke parë cilësitë në ekip, stafin teknik, ambientin në klub, ku çdo gjë është perfekte, besoj se Skënderbeu mund të luftonte në të dy fronte. Ky Skënderbe as që e mendon vendin e 8-të, mund të luftojë për Kupën e Shqipërisë”, shprehet Bregu.

 

Në Korçë presin vendimin përfundimtar nga Gjykata Federata Zvicerane. Ata shpresojnë që vendimi i UEFA-s të bjerë poshtë, ndërkohë Bregu thekson se ata nuk mendojnë për këtë pjesë. “Ne përgatitemi 100% për çdo ndeshje, pavarësisht çdo vendimi nga Zvicra. Presidenti na ka thënë që me të po merret klubi e ju duhet të përqendroheni në stërvitje e ndeshje. Nëse do të vijë një vendim që nuk ia uroj kurrë Skënderbeut, do të ishte një disfatë shumë e rëndë për kampionatin shqiptar”.

Bregu normalisht do të donte që një ditë të luante me kombëtaren: “Është ëndrra e çdo shqiptari. Kulmin e arrin me veshjen e fanellës kuqezi. Që në hapat e para të karrierës është ëndrra më e madhe, por këto vendosen nga të tjerë njerëz. Koha do të tregojë nëse do ta arrij ta realizoj”.

Këtë sezon, Luftëtari dhe Flamurtari janë drejt rënies në Kategorinë e Parë. Bregu është i lidhur ngushtësisht me këto dy klube dhe normalisht nuk ndihet mirë kur sheh në çfarë situate ndodhen. “Keqardhje shumë e madhe, është zemër e ndarë më dysh, duke parë situatën me Flamurtarin e Luftëtarin, që më kanë dhënë shumë e më kanë rritur profesionalisht. E vuaj këtë situatë si të isha vetë në Vlorë apo Gjirokastër”, thotë vlonjati.

Në fund Bregu është pyetur edhe në lidhje me garën për titullin kampion në Superiore: “Të them të drejtën, kemi luajtur me të tre kryesuesit dhe i kemi dominuar. Tirana këto ndeshje ka shfaqur karakter dhe lojë, Kukësi ka një nga sulmet më të frikshme të kampionatit ku janë 3 shokë të mi dhe Partizani ngelet kampion që nuk besoj se do të heqë kollaj dorë nga gara”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!