Barcelona ka arritur një akord me Bayern Munchen në lidhje me Philippe Coutinho. Braziliani ishte huazuar deri në datë 30 qershor te skuadra bavareze, por ai do e mbyllë këtë sezon në Gjermani.
Djemtë e Flick fituan titullin kampion, ndodhen në finalen e Kupës (luajnë me Bayer Leverkusen më datë 4 korrik) dhe kanë “siguruar” kualifikimin në çerekfinalet e Champions League (fituan ndeshjen e parë 0-3 në Londër përballë Chelsea).
Sky Germany raporton se dy klubet nuk kanë hasur probleme për të arritur një marrëveshje. Fantazisti brazilian do të qëndrojë te Bayerni deri në fund të këtij sezoni. Ai sapo ka lënë pas krahëve një dëmtim në kavilje dhe i është bashkuar skuadrës në stërvitje.
Bundesliga ka edhe dy ndeshje për t’u mbyllur dhe 28-vjeçari do të përfitojë disa minuta. Objektivi i tij është të bëjë mirë në Champions League, kompeticion të cilit kampionët e Gjermanisë duan t’i shkojnë deri në fund. /abcnews.al