E ardhmja e Lerdës, Nevil Dede bën parashikimin e papritur

schedule23:06 - 26 Shtator, 2019

schedule 23:06 - 26 Shtator, 2019

Ish-lojtari i Tiranës, Nevil Dede, ka folur sot në studion e ABC News në emisionin Pressing për derbin e kryeqytetit. Dede pranoi se Tirana e këtij sezoni është shumë më e fortë se e edicioneve të kaluara, duke koplimentuar merkaton e bërë dhe grupin e lojtarëve bardheblu. Në fjalën e tij, Dede tha:

“Realisht, që kur ka filluar sezoni, Tirana ka rezultate pozitive, kryeson renditjen dhe ka lojtarë shumë të mirë. Kanë lojtarë që rivalizojnë në çdo pozicion. Në sulm, janë shumë më të fortë, por mbeten disa probleme në prapavijë. Merkatoja është bërë shumë e fortë, Tirana është ndërtuar për të dalë kampion. Presidenti e ka bërë punën e vetë. Ai e ka pasur detyrim moral, si dhe për përvjetorin e klubi. Këtë sezon, presidenti ka mundësinë të afrohet edhe më shumë me tifozët.

“Tirana përfitoi dhe nga prishja e ekipit të Flamurtarit. Shumë lojtarë nga Vlora i janë bashkuar organikës së Tiranës. Nuk duhet të flasim për investime te Tirana, shumë lojtarë i ka marrë thjeshtë. Unë dua që të kemi merkato të rregullt në Shqipëri. Një ekip që synon të dalë kampion, duhet të investojë dhe të marrë lojtarët më të mirë”.

“Cobinnah është lojtari më i mirë i Tiranës në dy ndeshjet e fundit. Mema ka shumë vështirësi që të gjejë formacionin e duhur. Ky është problemi më i madh i tij, të gjejë lojtarët e duhur për të rreshtuar në fushën e lojës. Presioni është te të dy skuadrat i barabartë. Tirana duhet të vazhdojë të luajë si kryesuese e kampionatit. Grupi i Partizanit nuk ka besim te vetja, plus që dhe situata me trajnerin e tyre nuk është aspak e mirë”.

“Me aq sa kam parë, Tirana është skuadra më e fortë me qarkullimin e topit. Është një skuadër që imponohet në zotërimin e topit dhe kjo gjë i jep shumë avantazhe. Unë thashë që ka probleme në mbrojtje, jo për individët, po për mungesën e opsioneve. Nëse dëmtohet Osmani, kush luan? Qarkullimi i topit është një avantazh shumë i madh për Tiranën dhe me Kukësin edhe mund ta kishin barazuar shumë thjeshtë ndeshjen”.

“Teorikisht, Tirana dhe Partizani janë gjithmonë të barabartë. Praktikisht, në çoo situatë, secila skuadër ka avantazhet e veta. Unë me çfarë shoh nga jashtë, shoh Tiranën si më të avantazhuar. Partizani nuk është në moment të mirë, duket sikur kanë frikë. E treguan edhe kundër Bylisit. Trajneri është në presion dhe kur bie trajneri, ka rënë dhe skuadra. Tirana ka vetëm një problem, fakti që nuk ka fituar prej kohësh kundër Partizanit. Duhet që kësaj radhe ta përtypin mirë dhe ta menaxhojnë mirë ndeshjen”.

LERDA – “Ne jemi ballkanas, jemi gjaknxehtë. Nëse Lerda gabon kundër Tiranës, atëherë do të ketë vetëm një shans. Nëse gabon sërish, atëherë është i larguar vetë. Nuk do e pranojë as opinioni, as tifozët”./abcnews.al