Kjo nënë humbi shumë në këtë jetë. Aq shumë saqë habitesh sesi shpirti i saj nuk ka plasur prej dhimbjes. Dy fëmijë i ndërruan jetë kur ishin ende të vegjël. Djali i saj i madh i sëmurë e më pas… djali i vogël, Rubini.
Rubini kurrë nuk e kishte thirrur dot të ëmën, babain…. Rubini nuk mund të fliste, nuk mund të dëgjonte.
Nëna e Rubinit, Manushaqja, iu drejtua emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”, duke u lutur që ta ndihmonin për kryerjen e një ndërhyrje në nervin koklear. Nëse ndërhyrja nuk kryhej në kohë, Rubini nuk do të dëgjonte e fliste kurrë.
Sot Manushaqja erdhi në studion e emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” që po transmetohet “live” në Abc dhe T7 dhe rrëfeu një copëz të dhimbjeve të mëdha që kaloi.
“Rubini për shumë vite nuk dëgjoi. Se pata atë fat të dëgjoja djalin të më thërriste. Nuk kuptoja se çfarë problemi kishte, çfarë dëshire kishte ai. Shpesh herë dyshemenë e shtëpisë i kam larë me lot. Ku ka dhimbje më të madhe për një nënë, sesa ajo për fëmijën.”
Unë nuk kisha më shpresa, isha në luftë me veten…u ngrija natën e lutesha, o Zot i madh. Falenderime pafund që na u mundësua takimi me ju Elvis, që morët përsipër rastin. Nuk e di a ka shkuar zëri im deri tek Zoti lart, e u bë Rubini që është sot. Falenderime pafund e atyre që ndihmuan. Sa fjalë dalin nga goja e Rubinit, aq urime e bekime keni nga unë”
Falë bamirësve, sot Rubini dëgjon e mund të flasë. Nga zbrazëtia e heshtjes, sot Rubini ka mundësi të dëgjojë zërin e prindërve e tu thotë atyre ‘mami e babi’. Ndiqeni këtu live sesi sot Rubini mund të flasë, si të gjithë fëmijët e tjerë. /abcnews.al/