“Dyfishojmë ndihmën sociale”, Vokshi me një familje në Laprakë: Qeveria dhe bashkia na ka braktisur

schedule17:18 - 19 Mars, 2021

schedule 17:18 - 19 Mars, 2021

Koordinatorja politike për Tiranën Albana Vokshi ditën e sotme ka vizituar një familje në zonën e Laprakës në kryeqytet.

Kryefamiljari Edison Pjetrit, është shprehur se jeton duke marrë borxh. “Marr vetëm 40 mijë lekë ndihmë ekonomike. Ndonjëherë punoj në të zezë, por nuk kam shumë mundësi se çoj edhe fëmijën në shkollë në këmbë gati 3 kilometra larg. Nuk i paguaj dot furgon. Gruaja pa punë çon në një qendër bamirësie për fiziotërapi vajzën 8 vjeç, që nuk ecën dot.”- thotë Edisoni

Duke u interesuar për vajzën e sëmurë, Vokshi u shpreh se qeveria i ka braktisur jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët.

“Shteti nuk duhet t’ju braktisë, ai duhet të jetë mbështetës për ditët tuaja të vështira. Ju qeveria ju ka lënë në baltë dhe nuk ju ofron asnjë mbështetje, asnjë trajtim për fëmijën e sëmurë. Është praktikisht e pamundur t’ia dilni me ilaçet dhe me trajtim mjekësor me 40 mijë lekë.”- tha Vokshi.

Kryefamiljari tregoi se kur mësimi është online, fëmijët pothuajse nuk bëjnë shkollë, pasi nuk ka mundësi sa për internet, as për telefon.

“Nuk kam asnjë mbështetje përveç 40 mijë lekë që nuk më dalin për asgjë. Kanë ardhur e kanë ikur njerëz të bashkisë pa më dhënë asnjë zgjidhje” – u shpreh kryefamiljari.

“Kjo situatë duhet të marrë fund. Pas datës 25 Prill do të keni një qeveri të përgjegjshme që mendon për njerëzit, mendon për ty dhe për të gjithë ata që kanë fëmijët me probleme shëndetësore. Do të merrni ndihmën që ju takon me ligj. Ne do ta dyfishojmë ndihmën sociale. Qeveria do të mbështesë me programe të posaçme fëmijët e sëmurë dhe do të kujdeset që asnjë fëmijë të mos mbesë pa shkollë për shkak të gjendjes sociale”- tha Vokshi.