Dy zyrtarë dëshmuan kundër tij: Donald Trump “nis hakmarrjen”

schedule09:42 - 8 Shkurt, 2020

schedule 09:42 - 8 Shkurt, 2020

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shkarkuar nga detyra dy zyrtarë të lartë, të cilët dëshmuan kundër tij gjatë procesit të hetimeve për keqpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

I dërguari amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, tha se ka marrë vesh që presidenti do ta shkarkojë menjëherë, ndërsa disa orë më herët, koloneli Alexander Vindman, gjithashtu u shkarkua nga roli që ai kishte në Shtëpinë e Bardhë.

 Mediat e huaja shkruajnë se pasi u lirua nga hetimet e filluara në Senat, tashmë ai po synon një riformatim të stafit.

Pasi u largua nga rezidenca në Karolinën Veriore, presidenti amerikan tha për kolonelin Vindman: “A mendoni se unë duhet të jem i lumtur me të? Nuk jam”, ndërsa nuk pranoi të komentonte më shumë në lidhje me vendimin për shkarkimin e zyrtarit të lartë.

Kujtojmë që Donald Trump akuzohej për kushtëzimin e ndihmave ushtarake ndaj Ukrainës me fillimin e hetimeve të këtij shteti kundër rivalit politik, Joe Biden, dhe pengimin e punës së Kongresit.

Sidoqoftë, për shkak se shumica e senatorëve në Senat vijnë nga Partia Republikane, ai i shpëtoi shkarkimit.