Dy vjet nga marrëveshja e 17 Majit, çfarë ka ndryshuar nga ajo ditë

schedule16:54 - 17 Maj, 2019

schedule 16:54 - 17 Maj, 2019

Dy vjet pas Marrëveshjes së 17 Majit mes Ramës dhe Bashës, dy palët janë sërish në të njëjtat pozicione kundërshtare. Opozitarët janë sërish në rrugë, por këtë herë pa çadër, pasi thonë se janë mashtruar nga Rama. Ndërsa kryeministri është i vendosur të mos ndryshojë datën e zgjedhjeve dhe iu përsërit kundërshtarëve ftesën: Kur do flasim?

 “Zgjedhjet nuk janë lojë, zgjedhjet nuk janë as një e drejtë e partive, zgjedhjet janë e drejta sovrane e popullit për të gjykuar partitë”, është shprehur Rama në një takim me mbështetës të PS-së në vitin 2017.

“E kanë merak, nuk do të mbyllet, por do të vazhdojë deri në institucionalizimin e plotë të Republikës së Re”, është shprehur po atë vit kreu i demokratëve Lulzim Basha.

Ishin thjesht dy vjet më të rinj, por gjuhën e kanë të njëjtë edhe dy vjet më pas.

“Negociata nuk ka. Zgjedhjet e 30 Qershorit do të mbahen më 30 Qershor”, është shprehur në një nga konferencat e fundit kryeministri Edi Rama.

“Kemi ndërmarrë këtë hap sot pasi e kemi bërë fare të qartë se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, është kontradiksion termash, zgjedhjet pa opozitën janë farsë”, ka deklaruar këtë vit Lulzim Basha.

Krahasimin nuk e bëjmë rastësisht. 17 Maji është data që hyri në histori, jo ky i këtij viti, por ai në 2017. Kryetari  i Partisë Demokratike Lulzim Basha qëndroi në 90 ditë në çadrën e hapur para kryeministrisë duke kërkuar me këmbëngulje krijimin e një qeverie tranzitore që të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme.

Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në veçanti zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoit Brian-Ye, ai që gjeti një rrugë të mesme që palët të nënshkruanin një marrëveshje. Iu deshën tre orë që pas bisedës kokë më kokë të dilnin me një shtrëngim duarsh.

“Kemi një marrëveshje bazuar në paketën Mcallister + të propozuar nga SHBA”, deklaroi Basha pas marrëveshjes.

“Përsa më përket mua më lejoni të jem 100% me kryetarin e opozitës”, deklaroi Rama pas marrëveshjes.

Një ditë më pas zbardhet marrëveshja e arritur mes Partisë Socialiste e asaj Demokratike. Partia Demokratike pranoi të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit në shkëmbim të shkarkimit të gjashtë ministrave të kabinetit aktual dhe të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi.

Në marrëveshjen e publikuar nga Partia Socialiste u bë e ditur se opozita ka pranuar të votojë organet e Vettingut ndërsa shkarkohen nga detyrat drejtorët aktualë të OSHEE-së, ALUIZNI-it, burgjeve, hipotekave dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, poste që vlerësohet se janë keqpërdorur në të shkuarën nga forcat politike për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.

Palët angazhohen gjithashtu që të ndryshojnë Kodin Penal për të krijuar vepra penale për krime zgjedhore si shitblerje e votave si dhe pas krijimit të parlamentit të ardhshëm, të kryejnë Reformë tërësore Zgjedhore dhe të vendosin votimin elektronik për zgjedhjet e ardhshme.

E kështu sëbashku socialistë e demokratë shkuan drejt zgjedhjeve. Çadra u çmontua. E kryeministri tha se e lëshon me qira. Dakordësia e dy liderëve u zhbë shumë shpejt, me pretendimin se marrëveshja nuk u respektua.

“Nëse 25 Qershori e vrau marrëveshjen e 18 Majit, 9 Shtatori e vrau atë përfundimisht. Jo vetëm zgjedhja e Gramoz Ruçit, të cilit i është ndaluar përjetësisht hyrja në SHBA për shkak të lidhjeve të tij me krimin dhe trafiqet, por dhe akti mafioz i blerjes apo tjetërsimit të dy votave opozitare është shprehja më e qartë se ti zgjedhje gjithmonë shitblerjen dhe manipulimin”, tha Basha.

Dy vjet më pas Lulzim Basha ka rikthyer njerëzit në rrugë, këtë herë pa çadër. I zhgënjyer nga marrëveshja e dështuar, por edhe nga pamundësia që zëri I opozitës të dëgjohet në mungesë të institucioneve të drejtësi, fuqinë e vetëm thotë se e kërkon në popull.

Duket sikur situata po përsëritet me ndryshimin e vetëm se nuk do më të ulet përballë Edi Ramës. Kjo është edhe pika që ka vënë në vështirësi vetë ndërkombëtarët që bëjnë thirrje për dialog. Madje edhe vetë kryeministrin Edi Rama që ka shumë pikëpyetje se çfarë mund t’u ofrojë dy vjet më pas të opozitarëve të bashkuar.

17 Maji 2019 erdhi. Pritshmëritë për gjetjen e një zgjidhje nuk janë zbehur edhe nëse ndodh pa shtrëngime duarsh. Koha e dy viteve më parë ka treguar se gjithçka mund të ndodhë dhe se deklaratat e liderëve të mazhorancës dhe opozitës mund të ndryshojnë brenda 24 orësh. Të paktën njëri prej tyre nuk e mohon.

“Deri më 30 Qershor shumë nga gjërat që dëgjoni sot nuk do i dëgjoni më dhe shumë nga gjërat që i imagjinoni sot nuk do t’i imagjinoni më, kështu që koha politike deri më 30 Qershor është shumë e gjatë”, është shprehur Rama.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!