Mund të thuhet se Shqipëria për të ishte si një autoshkollë.
Silvinjo e dinte se do të duhej të kishte sukses në Tiranë që të merrte patentën e trajnerit të futbollit profesionist, të cilën nuk pati mundësi ta siguronte tek Lioni apo Korinthiansi.
Pas përvojave të vështira dhe aspak të suksesshme në Francë e Brazil, 50-vjeçari që si futbollist provoi majat tek Barcelona dhe në Angli, e gjeti më në fund vetveten.
Kanë kaluar më shumë se dy vjet, rreth 26 muaj, që ai drejton Shqipërinë, dhe përtej dyshimeve e kritikave, ka se çfarë të tregojë.
Ka mbijetuar për mrekulli në 24 ndeshje, e madje me bilanc në fund të fundit pozitiv, 10 fitore, 5 barazime e 9 humbje.
Jo vetëm kaq, por golaverazhi I tij është më I miri që kanë pasur ndonjëherë trajnerët e ekipit tonë përfaqësues.
Me Silvinjon kemi shënuar 30 herë dhe kemi pësuar 22 gola.
Natyrisht, nuk mundi ta ruante ritmin e fillimit, që na ndihmoi të shkonim në finalet e Kampionatit Europian, por ishte gjë që pritej.
Natyrisht, kulmi i tij ishte i madh me kualifikimin në Gjermani vitin e kaluar, hera e dytë që ia dilnim, një sukses që mund të mburret se ka arritur përveç tij vetëm De Biazi.
Periudha e vështirë e Silvinjos ishte që nga barazimi 0-0 në Tiranë me Ishujt Faroe në nëntor 2023, pasi u arrit kualifikimi për në Europian.
Vazhduan dy humbjet në miqësore me Kilin dhe Suedinë, ndërsa paraqitje në finalet gjermane nuk ngrohu edhe aq shumë, me një barazim e dy humbje.
Pastaj erdhi dështimi për t’u ngjitur në Nivelin A të Ligës së Kombeve, madje pësuam zbritje në Nivelin C.
Gjithsesi, Shqipëria ishte pranë të gjithë rivalëve si Ukraina, Çekia e Gjeorgjia dhe me shpresë deri në fund.
Periudha e vështirë vazhdoi me tri ndeshje pa fitore, barazim me Çekinë, humbje me Ukrainën në “Arenën Kombëtare” dhe disfata në “Uembli” me Anglinë.
Për fat erdhi fitorja kundër Andorrës që na qetësoi.
Trajneri ndoshta ka nxjerrë disa mësime dhe reflektoi në nisje të grumbullimit të fundit.
Ndaj Andorrës u ndryshuan disa pozicione në fushë, sidomos ai I Brojës dhe kjo dha rezultat.
Besohet, se përvoja më e madhe do ta ndihmojë brazilianin si dhe kombëtaren shqiptare./abcnews.al