Dy vendimet drastike, a do të shkrihet Partia Demokratike?

schedule21:57 - 13 Shtator, 2019

schedule 21:57 - 13 Shtator, 2019

Në mbrëmjen e sotme në emisionin “Provokacija” i gazetarit Mustafa Nano, ka qenë i ftuar ish-kryetari i Lezhës Fran Frrokaj. Që prej vitit 2014, Frrokaj ka drejtuar në dy mandate komunën e Shenkollit dhe Lezhën, nën përfaqësimin e  Partisë Demokratike.

Frrokaj në bisedën e tij me gazetarin Mustafa Nano ka ndarë me publikun, opinione dhe pjesë nga jeta e tij politike. I pyetur se përse i pëlqen politika, Frrokaj tha se ajo është një profesion dhe se në mandatin e parë nuk ka qenë aq i afeksionuar pas politikës. Me kalimin e kohës tha Frrokaj u kthye në një profesion.

“Në mandatin e parë nuk është se e kam patur kaq pasion por pastaj të bën për vete dhe kthehet në profesion, bëhet pjesë e ADN dhe të përfshin”, tha ai.

Mustafa Nano: Po kur je pjesë e politikës, si është marrëdhënia midis lirisë tënde individuale dhe nevojës për të mbrojtur një interes kolektiv, a jeni më i lirë?

Fran Frrokaj: Unë flas personalisht për këtë pjesë, unë absolutisht kam qenë i lirë. Kjo është natyra ime dhe për fat këtë e ka ditur Berisha, Basha dhe lezhianët. Unë jam tip që nuk shtrohem kollaj, mbroj interesat e mëdha që thatë ju por jo të një parcele të caktuar, natyrisht me këtë ngjyrën blu. Unë jam inxhinier me profesion dhe jam larguar sepse më ka pëlqyer më shumë politika.

Si moment i veçantë i situatës aktuale politike në partinë demokratike por edhe në Shqipëri, siç ishte vendimi i djegies së mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale, Frrokaj u shpreh se vendimi i djegies së mandateve nuk ka qenë vetëm i kryetarit Lulzim Basha por dhe i shumë të tjerëve brenda partisë, ndërsa vendimi për bojkotimin e zgjedhjeve erdhi si rrjedhojë e vendimit të djegies së mandateve.

Për bojkotimin e zgjedhjeve nuk ka qenë vendim personal i kryetarit por ka qenë një vendim më i gjerë. Partia Demokratike është një forcë politike e cila ka bërë shumë punë të mëdha. Ato vendime që janë marrë kanë bërë atë që duhej. Personalisht mund të jem një person i prekur nga këto vendime, sepse isha i bindur që Lezhën do e merrja, por tani them se kjo ishte më e mira. Në politikë luhet për shumë dhe absolutisht kam qenë dakord për të dy vendimet”, u shpreh Frrokaj.

I pyetur nga Nano se për shkak të këtyre vendimeve a rrezikon Partia Demokratike të shkrihet, Frrokaj tha:

“Jo nuk shkrihet. Dua të them dicka, e kam lexuar diku që e djathta është për shtet ndërsa e majta për pushtet. Në gjithë botën e djathta është një institucion më i fortë për shtetin. Partia Demokratike Shqiptare mund të tkurret dhe të garantoj që do të “sitet”, do të ikin ata të cilët kanë qenë artificialisht te ajo parti, por boshti i saj do të ngelet. Partia Demokratike është e madhe dhe ndoshta lëvizja e Bashës, për të bërë këtë hap kaq drastik për njësitë vendore, ka qenë pikërisht në frymën e kësaj”, deklaroi Frrokaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!