Në ABC e Mëngjesit, u përcoll historia frymëzuese e Gjin dhe Lum Rrahmanit, dy vëllezër nga Kosova që po duartrokiten nga bota e shkencës.
Nxënësit kampionë u kthyen nga SHBA me 3 medalje nga Olimpiada Ndërkombëtare e Shkencës dhe Inteligjencës Artificiale.
Nga Florida sollën medalje të artë në AI, medalje të artë në Biologji – “Best of the Best” dhe medalje bronzi në Matematikë. Në garë morën pjesë 23 shtete, mes tyre Kina dhe India, ku emri i Kosovës u njoh dhe u respektua.
“E dinim që do fitonim, kishim vetëbesim”, thonë vëllezërit, që testin e AI e përfunduan ndër të parët.
Sukseset e tyre shtrihen nga Emiratet e Bashkuara, Italia, Kanadaja, Holanda, Malajzia, Egjipti e deri në SHBA.
Gjithmonë me flamurin e Kosovës me vete, fitoret ia kushtojnë prindërve, mësuesve dhe vendit të tyre. Në krah të tyre, nëna Lindita Jashanica Rrahmani, një nënë mes dy “zjarresh” në shkencë.
Me lodhje, sakrifica dhe net pa gjumë, ajo flet për lot gëzimi dhe krenarie. “Lutem vetëm për shëndetin dhe rrugën e dijes”, shprehet ajo.
Amerika ishte ëndrra e tyre dhe u bë realitet. Ndërsa ëndrrat vazhdojnë, sfida e radhës i pret në gusht, në Niagara.


