Profesor grek i Gjeodinamikës Efthymis Lekkas shprehet se tërmeti i mëngjesit të sotëm në Kretë ishte një “rrufe në qiell të hapur” pasi nuk pritej të ndodhte. Sipas tij, ekspërtet vendas nuk prisnin një tërmet të kësaj shkallë në Kretë pas lëkundjeve të vazhdueshme të javëve të fundit.
Duke folur për mediat greke, Efthymis Lekkas tha se ata nuk e dinë madje nëse kjo është lëkundja më e fortë apo është paralajmërimi i një tërmeti tjetër më të madh.
“Tërmeti i fortë në Kretë ishte si një rrufe në qiell të hapur. Ne nuk prisnim lëkundje kaq të forta pas tërmeteve që kanë rënë në ishull gjatë kohëve të fundit. Madje ende nuk dimë nëse kjo është lëkundja më e fortë apo do të ketë të tjera më pas. Qytetarët duhet të qendrojnë të qetë dhe të rrinë jashtë shtëpive të tyre të paktën deri në mbrëmje”, tha ai.
Një javë më parë, Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitudë 3.7 të shkallës Rihter. Por, më shumë se intensiteti, ajo që përbën interes ka të bëjë me faktin se sizmiologët nuk e prisnin një lëkundje të tillë.
Duke folur për abcnews.al një javë më parë, sizmologu Edmond Dushi tha për Abcnews.al se kjo ishte një rastësi e jashtëzakonshme.
“Jemi të surprizuar, ka një rastësi të jashtëzakonshme, por nuk ka lidhje më kuptimin fizik apo shkencor, është thjeshtë një rastësi. Zonat janë krejt të ndryshme dhe në aspektin tektonik janë të ndryshme. Ajo është zona e Durrësit ka tjetër sjellje, kjo është zona tjetër”, tha ai.
I gjithë rajoni, përfshi Greqinë, Turqinë dhe Shqipërinë është përfshirë nga një aktivitet i lartë sizmik gjatë viteve të fundit. Krahas tërmetit të 26 nëntort në Shqipëri, dy tërmete të tjerë të fuqishëm kanë goditur Turqinë dhe Greqinë gjatë dy viteve të fundit duke shkaktuar dhjetra të vdekur. /abcnews.al