Dy të vdekur nga koronavirusi, 2 të tjerë në gjendje të rëndë tek “Infektivi”

schedule19:38 - 31 Mars, 2020

schedule 19:38 - 31 Mars, 2020

Të dy pacientët që kanë humbur jetën ditën e sotme nga koronavirusi kanë qenë në terapi intensive.

69 vjeçari nga Hasi ka qenë në frymëmarrje të drejtuar, për shkak të gjendjes së tij të rënduar, prej disa ditësh.

Ndërkohë që 77 vjeçari nga Kavaja, ka humbur jetën si pasojë e një infarkt të mio-kardit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ai kishte edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Në terapi intensive janë aktualisht 6 persona, nga të cilët 2 prej tyre, ndodhen me frymëmarrje të drejtuar.

Në dy ditët e fundit u duk sikur kurba e të infektuarve pësoi rënie, por ditën e sotme u konfirmuar 20 raste të reja, duke rritur më tej numrin e të prekurve.

Mes të infektuarve ka edhe personel mjekësor.

Burime për ABC News kanë konfirmuar se janë 2 kryeinfermiere dhe 1 infermiere të infektuara nga Covid-19, të treja pjesë e stafit mjekësor të spitalit Infektiv.

Po ashtu siç raporton gazetarja Glidona Daci për ABC News, është mësuar se mjekëve dhe infermierëve të spitalit infektiv, të cilëve i duhet bërë tamponi të paktën 1 herë në javë, nuk u është bërë kjo lloj analize, edhe pse tashmë 3 prej tyre, janë konfirmuar si të infektuar nga Covid-19.

ABC News ka mësuar se 2 kryeinfermieret dhe 1 infermiere të spitalit Infektiv të cilat janë prekur nga koronavirusi, ndodhen të shtruara në këtë spital.

Ndërkohë më herët është mësuar se edhe 3 të tjerë, pjesë e Task-Forcës, janë infektuar nga koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë është treguar e rezervuar në dhënien e informacioneve të detajuara në lidhje me stafin mjekësor të infektuar.

Numri total i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri sipas Ministrisë së Shëndetësisë është 243 persona./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!