Shiu i rrëmbyeshëm ka goditur Japoninë jugperëndimore, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu dhe duke lënë dy persona të vdekur dhe të paktën gjashtë të tjerë të zhdukur të hënën.
Shirat që ranë në rajonet e Kyushu dhe Çugoku gjatë gjithë fundjavës shkaktuan përmbytje përgjatë një numri lumenjsh si dhe rrëshqitje balte, mbyllje të rrugëve, ndërprerje të qarkullimit të trenave dhe ndërprerje të furnizimit me ujë në disa zona.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi një paralajmërim urgjent për shi të dendur për prefekturat Fukuoka dhe Oita në ishullin kryesor jugor të Kyushu, duke u kërkuar banorëve në zonat buzë lumenjve dhe kodrave që të kenë kujdes maksimal.
Më shumë se 1.7 milionë banorëve në zonat e prekura iu kërkua të strehohen.
Sekretari kryesor i kabinetit, Hirokazu Matsuno, u tha gazetarëve se qeveria ka ngritur një grup pune dhe po bën të pamundurën për operacionin e kërkim-shpëtimit. Ai tha se Japonia “vendos jetën e njerëzve në radhë të parë”.
Dy persona kanë vdekur dhe të paktën gjashtë të tjerë janë zhdukur, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Zjarrit dhe Fatkeqësive dhe zyrtarëve të prefekturës.
Një burrë u gjet i vdekur në një automjet që kishte rënë në një lumë në prefekturën Jamaguçi.
Në qytetin Soeda, në prefekturën Fukuoka, dy persona ngecën nën një rrëshqitje dheu. Njëri u shpëtua i gjallë, por tjetri u gjet pa shenja jete dhe më vonë u shpall i vdekur, sipas zyrtarëve të prefekturës.
Në qytetin Karatsu në prefekturën Saga, ekipet e shpëtimit po kërkonin tre persona, shtëpitë e të cilëve u goditën nga një rrëshqitje dheu, tha agjencia.
Pamjet në televizionin japonez NHK treguan ujë me baltë nga lumi i fryrë Yamakuni që rrjedh mbi një urë në qytetin Yabakei në prefekturën Oita.
Siç raporton AP, në qytetin Karatsu në prefekturën Saga, ekipet e shpëtimit po kërkojnë për tre persona, shtëpitë e të cilëve u goditën nga rrëshqitjet e dheu./REL