DURRËS- Një përplasje me armë është regjistruar në Sukth të Durrësit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të kësaj të diele në autostradën Durrës-Tiranë ku dy persona u përfshinë në një përplasje të armatosur me efektivët e policisë.
Dy autorët dyshohet se se fillimisht vodhën një automjet dhe më pas e përdorën atë për të kryer vjedhje me dhunë në një karburant në Sukth.
Policia e Durrësit u vu në ndjekje të automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Tiranës dhe për pasojë ka dalë nga rruga tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore në Vorë, ku edhe u hap zjarr ndaj policisë.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur njëri nga autorët, 28-vjeçari Ardit Domi, ndërsa 27-vjeçari Lorenc Çali, pasi bëri rezistencë me armë, u kap nga efektivët, të cilëve iu erdhën në ndihmë edhe forcat e policisë nga Tirana.
Sipas policisë I plagosuri Ardit Domi, 28 vjeç, banues në Bilalas të Shijakut u dërgua në spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut.
Në vendin e ngjarjes u gjet një armë zjarri automatik me 2 krehra, e përdorur nga dy personat e sipërpërmendur.
Aktualisht të gjitha provat I kanë kaluar prokurorisë për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur
/abcnews.al

