Dy Koretë bien dakord për bisedime ushtarake

schedule19:12 - 9 Janar, 2018

schedule 19:12 - 9 Janar, 2018

Në mbledhjen e parë pas dy viteve mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut janë arritur disa marrëveshje. Peniani ka pranuar zhvillimin e bisedimeve me Seulin për uljen e tensioneve ndërsa ka përjashtuar negociatat për programin e saj bërthamor. Koreja e Veriut ka pranuar edhe dërgimin e një delegacioni në Lojërat Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut.

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë rënë dakord për mbajtjen e bisedimeve ushtarake për të ulur tensionin ndërkufitar. Ky zhvillim ka ardhur pas mbledhjes së parë të nivelit të lartë që është mbajtur pas më shumë se 2 vitesh. Peniani do të dërgojë një delegacion në Lojërat Olimpike Dimërore të 2018 që zhvillohen në Korenë e Jugut në muajin shkurt. Mësohet se në të do të përfshihen pjestarë të Komitetit Olimpik Kombëtar, atletë, nxitës tifozësh, interpretues të artit, spektatorë, një ekip demonstrues taekwondo dhe media në lojërat olimpike. Ndërsa Jugu do të ofronte lehtësitë dhe pajisjet e nevojshme.

“U arrit gjithashtu marrëveshje për të rivendosur një linjë telefonike ushtarake të pezulluar dy vjet më parë”, tha qeveria e Seulit. Megjithatë Koreja e Veriut tha të martën se nuk do të diskutojë për armët e saj bërthamore në bisedimet e ardhshme me Seulin, sepse ata synojnë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe jo “vëllezërit” në Korenë e Jugut.
Pas një dite negociatash, të dy palët dolën me një deklaratë të përbashkët. Sipas dokumentit, Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut do të bisedojnë edhe për zona të tjera të pacaktuara në bisedimet e nivelit të lartë për të përmirësuar marrëdhëniet. Kjo bëhet e ditur nga agjencia e lajmeve e Seulit, Yonhap.

“Jugu i kërkoi Veriut t’i jepte fund çdo akti armiqësor që mund të rriste tensionet, ndërsa Veriu ra dakord lidhur me nevojën për të garantuar një mjedis të qetë në gadishull”, tha një deklaratë qeveria e Seulit. Ndërkohë, sipas mediave ndërkombëtare, kreu i delegacionit të Koresë së Veriut në fjalën e tij hapëse të takimit ishte suhmë neutral. Ri Son-guan tha se shpreson që bisedimet do të sjellin një “dhuratë të mirë” për vitin e ri dhe se Peniani kishte një “qëndrim serioz dhe të sinqertë”.

Takimi i parë pas dy vitesh mes dy vendeve u mbajt në Panmunxhom, një zonë kufitare e demilitarizuar që ndryshe cilësohet si fshati i paqes. Në bisedime morën pjesë 5 zyrtarë të Koresë së Veriut dhe 5 të Koresë së Jugut. Ndërsa lideri Kim Jong-un dhe presidenti Mon Xhae-in e kanë ndjekur takimin me anë të raportimeve televizive./abcnews.al