Dy fjalë për Gazmend Bardhin

schedule20:42 - 10 Tetor, 2024

schedule 20:42 - 10 Tetor, 2024

Nga Sokol Balla

Zoti Gaz Bardhi ka tentuar sot të më tërheqë në një sherr grash, pasi sipas tij unë e paskam kërcënuar mbrëmë. Ai thotë se ka parë një videon time mbrëmë vonë, por si duket emocionet që e kanë kapur kur më ka parë, e kanë bërë ta lexojë mbrapsht editorialin tim, sikur unë, sipas tij, e paralajmëroja se ai do kishte fundin e Ervin Salianjit apo Vis Martinit. Në fakt unë nuk e di fatin e këtij të fundit, ndoshta Gazi e di më mirë. Unë nuk kam pasur kurrë kontakte me botën e errët, ndërsa Gaz Bardhi kapërceu mbi kufomën ende të ngrohtë të Pjerin Xhuvanit në prill 2021, të vrarë nga dikush që doli nga makina e tij. Ndërsa kur fola për karmën, ndoshta më duhet ta risqaroj Gazin, se mos e ka lexuar gabim. E kisha për karmën Gaz, për karmën. Për atë që të këshilluan edhe shokët e tu që ke në SPAK: Mos dil e thuaj rrena, sepse pastaj do biesh vetë viktimë e tyre. Siç edhe re. Dhe e ndjeve në kurriz çdo të thotë të të akuzojnë për një gjë të paqenë. Kjo, është karma e gënjeshtrave. Gënjeshtra që ti para pak ditësh i the sërish në Kuvend për një drejtor policie. Por shokët e tu në SPAK, veçanërisht ai që të jep komunikimet në encrochat, duhet edhe të të këshillojnë që të mos i keqperdorësh, një herë kundër Nokës, një herë kundër Berishës dhe sot kundër Olsit. Në fakt ai prokurori i SPAK s’duhet ta bënte fare këtë, pasi ai e di shumë mirë, që emailet, celularët edhe ata me aplikacione sekrete, atij i përgjohen se e ka dhënë vetë lejen për këtë. Po me të do merret ligji. Ndërsa me ty, sonte do merrem unë, meqë degjova se ke angazhuar një parti të tërë kundër një individi të vetëm.

Në tjerrjen tënde të gjatë, në thelb më quaje se lehja kundër jush. Në fakt, ajo që ti i quan lehje, janë qëndrime të shumicës së shqiptarëve, dhe të ndërkombëtareve ndaj mënyrës sesi PD bën opozitë. Deri një vit më parë edhe ti lehje bashkë me mua, por ndryshe nga mua, ti i numëroje Flamur Nokës vilat në Lalz, doktorin e quaje babai i Zenit, Zenit i numëroje të vrarët në Gërdec. Kurse unë isha dhe jam shumë më i rezervuar sesa ty. Në kritikat ndaj doktorit kjo sepse Gazi, pavarësisht se mund të jem nga më kritikët ndaj Sali Berishës prej dy dekadash, si gazetar i referohem vetëm fakteve, ndërsa si qytetar respektoj ca kode. Sepse edhe lufta ka rregulla dhe luftën zakonisht e bëjnë burrat. Dhe beteja ime publike me fenomenin politik të Sali Berishës, ka qenë e do mbetet vetëm e tillë. Nga ana njerëzore, unë jam rritur në të njëjtën lagje me Shkëlzenin dhe me zonjën Malltezi kemi qenë në të njëjtin gjimnaz, ndërsa me zotin Noka, shkonim bashkë dikur në takime me prindër. Ti nuk i kupton këto gjëra Gazi dhe nuk ke sesi, sepse megjithëse e përmendje me dhimbje, nuk besoj se e ke idenë çfarë është familja. Familja jote është pushteti, aty ku zvarritesh e lëpihesh. Dhe klith me zë të hollë sapo ai të cënohet.

Dhe mos më përmend Edi Ramën. Ti ke qenë ministri i tij 6 muaj, nga maji deri në shtator 2017. Dhe ky është një fakt. Po për më keq, ti je sot mbështetesi kryesor i Edi Ramës. Më këshilloje të shqetësohesha për kryeministrin se po i vjen fundi. Po ti pyet njëherë vërdallë sesa kryeministra kemi përcjellë unë dhe kolegët e mi këto 30 vjet e me siguri do a percjellim edhe Ramën, por duhet të lutemi që zoti të na japë shëndet e jetë të gjatë, sepse sa kohë ai të ka ty dhe doktorin, nuk i duhemi hiç as unë as ndonjë nga kolegët e mi.

Dhe në fund: ruaju paralajmërimeve të Doktorit që t’i bëri në fundjavë, se unë të miat i kam këshilla bile në thelb dashamirëse. Doktori po, është nga ata që përcakton fatet e njerëzve, sepse e ka treguar në të shkuarën. Azemin nuk e pyet dot, po pyet Ervinin. Ndërsa për këshillat e mia të shëndetshme, mund të pyesësh edhe Edi Ramën, kur ti ulesh herën tjetër te prehri si në 2017. Ah dhe një gjë e fundit, nëse do më shkruash prapë letër, të lutem mos më thirr i dashur Koli, sepse po më fut në sherr me gruan. Dhe siç të thash në fillim, sherret me burrat i përballoj, ato me gratë, jo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!