Dy finalet e zjarrta: Gjimshiti kundër Juventusit, Monaco përballë kampionëve

schedule14:36 - 19 Maj, 2021

schedule 14:36 - 19 Maj, 2021

Në Francë dhe Itali luhet akti i fundit ku do të përcaktohen skuadrat fituese të Kupës. Në “Mappei Stadium”, Atalanta dhe Juventusi do të përballen për të fituar trofeun. Bardhezinjtë nuk po kalojnë një sezon të mirë, teksa ende nuk kanë siguruar një vend në Champions League, ndërsa ekipi i Gasperinit është më i qetë, pasi vitin tjetër do luajë në turneun e më të mirëve.

Fitimi i Kupës mund të jetë shpresa e fundit për Andrea Pirlon, pasi shkarkimi i tij duket shumë pranë. Të dy trajnerit e kanë të plotë ekipin dhe nuk kanë mungesa. Për herë të parë në Itali për këtë vit, stadiumi do të jetë i hapur për tifozët në 20% të kapacitetit të impiantit. 30 kamera do të ndjekin episodet e finales, një rekord për një ndeshje të luajtur në Itali.

Në Francë, Monaco dhe PSG diskutojnë mes tyre trofeun e dytë më të rëndësishëm. Skuadra nga Principata nuk e fiton këtë trofe prej 30 vitesh dhe sonte do të japë gjithçka për të lumturuar tifozët, ndërsa djemtë e Pochettinos kanë fituar 5 nga 6 edicionet e fundit të Kupës së Francës.

Ekipi i drejtuar nga Niko Kovac ka zhvilluar një sezon shumë të mirë deri tani, renditet në vend të tretë në Ligue 1 dhe është pranë arritjes së objektivit Champions League për sezonin e ardhshëm.

Në “Stade de France”, pavarësisht mungesave të emrave me peshë si Neymar apo Verrati, skuadra e Pochettinos është favorite me trajnerin argjentinas që do të kërkojë të fitojë një tjetër trofe pas atij të Superkupës së Francës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!