Në zonat rurale shumë familje jetojnë në kushte të vështira jo vetëm për shkak të mungesës së financave, por edhe për shkak të pasojave nga natyra. I tillë është rasti për dy familjet Gjini në fshatin Baz të Bashkisë së Matit, shtëpia e të cilëve është në anë të humnerës dhe rrezikon të shembet.
Në këtë shtëpi e cila me reshjet e para mund të përmbyset jetojnë 12 vetë. Të rritur dhe fëmijë. Toka përreth themeleve të shtëpisë rrëshkiti nëntorin e vitit të kaluar, sapo nisi dimri.
Vera Gjini: “Rrëshqiti gjatës natës dhe ditëmn dhe tani është tu rrëshqit”.
Dy familje në fshatin Fushë – Baz të njësisë Administrative Baz në Bashkinë e Matit rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur.
Ata kanë një vit që bëjnë roje nga frika se mos natën përfundojnë në humnerë.
Vera Gjini: “Me një ndihmë ekonomike makabre, kalamajtë i kam në shkollë të katërt. Si do jetoj unë pa pas një përkrahje, toka tu mu shemb, shpia tu mu shemb”.
Siç shikohet edhe nga pamjet godina është krisur nga të gjitha anët. Familjarët jetojnë në kushte të rënda, dhe të ardhurat e tyre janë vetëm 50 mijë lekë të vjetra në muaj. Familjet Gjini nuk kanë asnjë shans tjetër për t’u vendosur diku tjetër e të nisin një jetë të re. /abcnews.al