Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Dy ditë pas heqjes nga lista e zezë/ Presidenti sirian Ahmed Sharaa mbërrin në Washington

schedule08:50 - 9 Nëntor, 2025

schedule 08:50 - 9 Nëntor, 2025

Presidenti i Sirisë, Ahmed Sharaa, ka mbërritur në Uashington për një vizitë zyrtare, vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara i hoqën atij statusin e “Personit të Përcaktuar Globalisht si Terrorist”. Ish-militanti islamist pritet të takohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, njëmbëdhjetë muaj pas rrëzimit të Bashar al-Assad nga aleanca rebele që Sharaa drejtoi.

Pak orë para mbërritjes së tij në kryeqytetin amerikan, autoritetet siriane njoftuan arrestimin e dhjetëra personave të dyshuar si anëtarë të grupit të njohur si Shteti Islamik. Në qendër të bisedimeve mes dy liderëve pritet të jetë bashkëpunimi për eliminimin e mbetjeve të këtij grupi në territorin sirian. Që prej marrjes së pushtetit, Sharaa është përpjekur ta rikthejë Sirinë në arenën ndërkombëtare pas dekadash izolimi gjatë regjimit të Assadit dhe 13 vjetësh lufte civile.

Në shtator, ai mori pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ku deklaroi se “Siria po rifiton vendin e saj të merituar mes kombeve të botës” dhe kërkoi heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj vendit.

Këtë javë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi një rezolutë të propozuar nga SHBA për lehtësimin e masave ndëshkuese ndaj Sirisë, në përputhje me procesin gradual të Uashingtonit për zbutjen e sanksioneve ndaj udhëheqjes së re siriane. Të premten, Sharaa dhe ministri i tij i Brendshëm, Anas Hasan Khattab, u hoqën nga regjistri amerikan i personave të dyshuar për mbështetje ose financim të grupeve ekstremiste, një vendim që Departamenti i Thesarit e cilësoi “njohje të përparimit të treguar nga udhëheqja siriane”.

Më parë, Sharaa ishte i njohur me emrin e rremë Muhammad al-Jawlani, gjatë kohës kur drejtonte grupin Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili deri në vitin 2016 ishte i lidhur me Al-Kaidën. Përpara kësaj, ai kishte luftuar në radhët e Al-Kaidës në Irak dhe ishte mbajtur për disa kohë në paraburgim nga forcat amerikane. Sharaa ishte gjithashtu në listën e personave për kapjen e të cilëve SHBA kishte vënë një shpërblim prej 10 milionë dollarësh.

Sanksionet ndaj HTS u hoqën më herët gjatë këtij viti. Presidenti Trump e kishte takuar Sharaan më parë, në maj, gjatë një vizite në Riad, ku e përshkroi si “një njeri të fortë, me të kaluar të vështirë”.

Pavarësisht të shkuarës së tij, Sharaa ka fituar mbështetje nga disa qeveri që kishin kundërshtuar regjimin e Assadit, duke premtuar të udhëheqë një qeveri të moderuar që synon të fitojë besimin e grupeve të ndryshme etnike dhe fetare në Siri. Më herët gjatë këtij viti, ai premtoi të pastrojë radhët e forcave të sigurisë nga elementët e akuzuar për ekzekutimin e anëtarëve të pakicës alawite.

Ndërkohë, muajt e fundit janë regjistruar përleshje të dhunshme mes luftëtarëve beduinë sunitë dhe milicive druze, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e qeverisë së udhëhequr nga HTS për të rikthyer stabilitetin në një vend të shkatërruar nga më shumë se një dekadë luftë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!