Dy deputetë braktisin Kurtin, lënë Vetëvendosjen për parti të tjera

schedule14:59 - 1 Tetor, 2024

schedule 14:59 - 1 Tetor, 2024

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahamani dhe Visar Korenica kanë bërë të ditur se kanë dhënë dorëheqje nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, për t’iu bashkuar siç thanë Listës për Familje, të Aleancës Kosova e Re (AKR) së Behgjet Pacollit dhe Partisë së Drejtësisë (PD) të Ferid Aganit, në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Rrahmani në një konferencë për media të martën, renditi disa nga arsyet që kanë braktisur LVV-në, ku ndër ta përmendi edhe disa dispozita të projekt-kodit civil. Ai adresoi edhe kritika ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, siç tha për dështim në arsim, ekonomi dhe shëndetësi.

“Po bashkohemi në një koalicion për familjen. Projekt-kodi civil që me disa dispozita të tij cenon familjen tradicionale, Projektligji për shëndetin riproduktiv që tenton dhe legalizon fertilizimin dhe dhurim pa identitet të njohur që dërgon në incest dhe mos të flasim për cenimin e familjes. Lejimi i ndërrimit të gjinisë sipas ndjesisë në Projektligjin për gjendjen civile madje edhe tek fëmijët dhe shumë aktivitete në Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit na kanë obliguar të bashkohemi dhe të mendojmë dhe të veprojmë rreth angazhimit politik për familjen. Vazhdimi i ikjes nga vendi të të rinjve, punëtorëve profesionist dhe të gjitha kategorive të tjera shoqërore është bërë barrë e madhe që po e rëndon Kosovën. Mosngritja e koeficientit në sektorin publik, paga e ulët minimale, vazhdimi i nepotizmit dhe shumë dukurive të tjera…Vazhdimi i mospërmirësimit në arsim, ekonomi dhe shëndetësi kanë qenë problemet kryesore që kanë vazhduar të vështirësojnë jetën e qytetarëve”, tha ai.

Rrahami theksoi se bashkëpunimi me AKR-në dhe PD-në, nuk është shkrirje në këto dy parti, por koalicion mbi kauzën e ruajtjes së familjes tradicionale. “Kjo nuk i bie shkrirje as në AKR dhe as PD. Ky prezantim i këtij koalicioni për familjen sot është formal, pasi ne bashkë me Visarin këtë proces e kemi filluar qysh para dy viteve rreth mendimit sesi do të vijmë te zgjedhjet e ardhshme a do të vazhdojmë me subjektin ku kemi qenë dhe gjëra të tjera. Për shkak të shpalljes së zgjedhjeve ka qenë e pamundshme regjistrimi i subjektit të ri politik dhe krijimit të koalicionit. Si subjekt i ri politik kemi mundur të regjistrohemi por ka qenë data 1 shtator përfundimi i afateve të lidhjes së koalicioneve. Në dakordim me AKR-në dhe PD-në ne kemi kërkuar që të regjistrohet si koalicion i tillë. Emri i koalicionit është Lista për Familjen AKR-PD. Ne do të garojmë në koalicion të përbashkët me këto dy subjekte”, shtoi Rrahmani.

Ai u shpreh i hapur që këtij koalicioni t’i bashkohen edhe deputetë të tjerë, por siç tha të njëjtit duhet të mbështesin kauzën për familje. “Ky është një proces që sot ka filluar, do t’i prezantohet të gjithëve që kanë interes, përfshirë deputetë, pastaj mbetet vendim i tyre për rreshtimin politik”, deklaroi ai.

Megjithëse bëri të ditur largimin nga LVV-ja, Rrahmani tha se do të mbështesin secilën iniciativë ligjore në Kuvend siç tha që është e dobishme për qytetarët. “Vazhdimi si deputet do të jetë ashtu siç ka qenë do të mbështesim secilën iniciativë ligjore e cila vjen në Kuvend dhe është e dobishme për vendin, si dhe do të kundërshtojmë secilën iniciativë apo çështje tjetër që është në dëm dhe kundër interesave të qytetarëve. Puna në Kuvend do të vazhdojë njëjtë siç ka vazhduar deri sot”, përfundoi Rrahmani.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!