Të mërkurën e ardhshme është programuar të luhet java e 20-të e Kategorisë Superiore. Të gjitha ndeshjet do të luhen në një ditë, teksa ora 13:00 do të startojë katër ndeshje.
Tirana-Teuta është një nga sfidat më të forta të javës së ardhshme. Bardheblutë vijnë nga një humbje e dhimbshme me Kukësin dhe një reagim në “Selman Stermasi” është më shumë se nevojë.
Po në 13:00 nis edhe Laçi-Kastrioti. Kurbinasit shkojnë me moralin e mirë të fitores në Ballsh, ndërsa Kastriotit i duhet të reagojë pas humbjes me Partizanin dje.
Vllaznia do të udhëtojë në Korçë për t’u përballur me Skënderbeun. Shkodranët kanë mundësi të artë të shtojnë pikët në llogari, duke përfituar nga momenti “jo” i korçarëve.
Apolonia-Bylis, një duel mes skuadrave të fundit të tabelës është sfida e katërt e orës 13:00. Një tjetër supersfidë e javës së 20-të është ajo mes Kukësit dhe Partizanit në “Elbasan Arena”. Kjo ndeshje ndryshe nga të tjerat, starton në orën 16:00. /abcnews.al