Në një analizë të saj Deutsche Welle shkruan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar sanksione ndaj Turqisë nëse Ankaraja vendos të blejës sistemin rus të raketave
Turqia kërkon të mbrojë hapësirën e vet ajrore me një sistem rus raketash. Uashingtoni kërkon që si vend partner i NATO-s, Turqia të blejë sistemin amerikan të mbrojtjes, Patriot. Në një analizë të saj Deutsche Welle shkruan se qeveria amerikane i ka dhënë ultimatum qeverisë turke. Televizioni amerikan CNBC raportoi se Ankaraja ka dy javë kohë për të hequr dorë nga blerja e raketave ajrore ruse, përndryshe do të vendosen sanksione. Uashingtoni kërcënon po ashtu që t’ i refuzojë Turqisë furnizimin e avionëve luftarakë F 35.
Qeveria amerikane prej muajsh ushtron presion mbi Turqinë. Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar blerjen e sistemit rus S- 400 të mbrojtjes ajrore. Ministri i Jashtëm amerikan Mike Pompeo ka kërcënuar madje me sanksione. Por Ankaraja nuk ka ndryshuar mendim. Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar njoftoi këtë javë se ushtarët turq ndodhen tashmë në Rusi për të mësuar për përdorimin e S- 400. Në qershor ose në korrik sistemi do i dorëzohet Turqisë dhe në vjeshtë do të instalohet.
Qëndrimi konfrontues i administratës së Trumpit ka arsye ekonomike dhe ushtarake. Ankarasë i kërkohet që të prishë pazarin, sepse Uashingtoni do që Turqia të blejë patjetër sistemin amerikan të mbrojtjes nga ajri, Patriot. Përveç kësaj, në SHBA dhe vende të tjera të NATO-s mendohet edhe për çështjet e sigurisë. Sepse teknika ushtarake ruse nuk është e përshtatshme për sistemet e NATO-s. Përveç kësaj ekziston droja se nëpërmjet radarëve të S-400, Moska mund të marrë informacione të fshehta për avionët luftarakë F-35. Në fund të fundit ushtria turke do e kombinojë sistemin rus të mbrojtjes nga ajri me avionët luftarakë amerikanë. Po ashtu është rritur shqetësimi se bashkëpunimi me Moskën mund të nxisë shkëputjen e Ankarasë nga partnerët perëndimorë, me të cilët ndodhet në Aleancë. Ekspertët vërejnë se Turqia është duke u kthyer më shumë nga shtetet lindore si Irani, Kina dhe Rusia, jo vetëm në fushën ushtarake.
Asgjë nuk tregon se qeveria e Erdoganit ka ndër mend të tërhiqet. Sipas ministrit turk të Mbrojtjes, bisedimet me SHBA për blerjen e sistemit amerikan Patriot vazhdojnë, madje Uashingtoni ka bërë edhe një ofertë më pak të kushtueshme. Por presidenti turk Erdogan vazhdon të thotë se është i vendosur që të bëjë blerjen nga rusët. Ditën e martë Akar tha se SHBA është duke përgatitur sanksionet. Një nga arsyet pse turqit mbajnë qëndrim të palëkundur është se me çmimin 2,5 miliardë dollarë për dy bateri, sistemi rus i mbrojtjes nga ajri është shumë më i lirë se sa ai amerikan. Megjithatë S- 400 është jashtëzakonisht modern dhe eficient, ka rreze veprimi 400 km dhe mund të qëllojë objektiva deri në 60 km lartësi. /ABC News Albania 24/7