DW: Ndihmat e BE për Ballkanin Perëndimor pak rezultat

schedule12:40 - 11 Janar, 2022

schedule 12:40 - 11 Janar, 2022

Pas më shumë se 20 vjetësh përpjekjesh politike dhe financiare të BE në Ballkanin Perëndimor janë bërë „jo sa duhet përparime“, thuhet në raportin e Këshillit të Lartë të Auditimit të BE-së me seli në Luksemburg.

Në këto vende vazhdojnë të ekzistojnë problemet sa i përket sistemit të pavarur të drejtësisë, influencës politike dhe korrupsionit. „Mbështetja e BE-së për shtetin ligjor në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka çuar në një kthesë rrënjësore”, tha Juhan Parts nga zyra e Auditimit të BE-së. Përparimet e pakta venë në pikëpyetje „vazhdimësinë e mbështetjes së BE-së në përgjithësi në kuadrin e procesit të anëtarësimit”. „Reformat e vazhdueshme humbasin besueshmërinë, nëse ato nuk sjellin rezultate të prekshme.”

Gjashtë vendet e Balllkanit Perëndimor prej 20 vjetësh punojnë pak a shumë në mënyrë intensive për një anëtarësim në BE. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë vende kandidate. Vetëm në periudhën mes viteve 2014 dhe 2020 këto vende kanë marrë rreth 700 milionë euro për mbështetjen e reformave. Gjithashtu rregullisht ka shkëmbim në nivelin politik.

Rekomandimi: Të mbështetet shoqëria civile dhe mediat

Edhe Komisioni i BE-së së fundi konstatoi mangësi të mëdha sa i përket pavarësisë së sistemit juridik, luftimit të korrupsionit apo lirisë së medias. Në raportin e Këshillit të lartë të Auditimit të BE-së thuhet, se rëndom nuk bëhet sa duhet për ta forcuar vullnetin politik dhe se masat e marra shpesh nuk japin rezultat. Financimi dhe zbatimi i projekteve jo gjithmonë kushtëzohet me përmbushjen e kushteve të përcaktuara për ndihmën.

BE-ja rrallëherë e ndërpret ndihmën, kur pala përfituese e ndihmës shkel rregullat bazë të demokracisë. Auditimi i BE-së i rekomandon Komisionit të BE-së, që të mbështesë më fort shoqërinë civile dhe mediet. Po ashtu duhet që dhënia e ndihmave financiare nga BE të kushtëzohet me përparimin drejt shtetit ligjor dhe projektet duhet të mbikqyren me më shumë rigorozitet./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!